Mbledhja e datës 30 prill të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është shoqëruar me debate të ashpra mes anëtarëve.
Protagonistë të kësaj përplasjeje kanë qenë kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, dhe anëtari Sokol Stojani. Nuk kanë munguar debatet me tone të larta dhe tensione, ku më pas janë përfshirë edhe anëtarë të tjerë.
Tema e debatit ka qenë një vendim për hapjen e vendeve vakante në KLP drejt Kuvendit, ndërsa kryetarja Bogdani kërkoi rikthimin e tij për shqyrtim.
Kjo kërkesë është kundërshtuar nga Stojani, çka solli edhe përplasjet mes tyre. Seanca ka zgjatur mbi 7 orë dhe është shoqëruar me debate dhe tone të larta:
Sokol Stojani: S’ka gjë më ordinere se kjo. Ky është një problem konceptual.
Mirela Bogdani: Unë e rikthej për diskutim.
Sokol Stojani: Nuk diskutohet një vendim i marrë! Po nuk rrëzohet një diskutim, moj!
Mirela Bogdani: Unë kështu e gjykova. Kush je ti që më tregon mua?
Sokol Stojani: Po kush je ti, moj?
Mirela Bogdani: Po mbase jam çmendur unë.
Sokol Stojani: Po je çmendur, moj, je çmendur.



