Pas prime-it të mbrëmshëm të “Ferma VIP 3”, në orët e para të mëngjesit, Jonida Maliqi vendosi të largohej nga ferma, duke surprizuar shumicën e banorëve dhe publikun.
Në një takim me fermerët, ku disa prej tyre u emocionuan deri në lot për shkak të lidhjes që kishin krijuar me të, Jonida e bëri të qartë se ky ishte një vendim i menduar mirë.
“E kisha ndarë mendjen. Të premten do ikja, por s’doja të bëja drama,” u shpreh ajo disa herë, duke shtuar: “Më besoni, jam më e lumtur kështu, jam më e qetë kështu. E kisha vendosur… vetëm se sot është pak më përpara.”
Jonida u bë pjesë e “Ferma VIP 3” që nga fillimi, më 28 mars 2026, dhe konsiderohej një nga emrat më të fortë të këtij edicioni, jo vetëm për lojën, por edhe për profilin e saj publik. Megjithatë, rrugëtimi i saj nuk kaloi pa dinamika.
Një nga momentet më të komentuara mbetet përplasja me Soni Malajn, e cila nisi si një debat për higjienën në fermë, por që shumë shpejt mori tone personale. Nga një marrëdhënie korrekte në fillim, distanca mes tyre u bë e dukshme dhe kulmoi në një debat të fortë gjatë prime-it, me replika direkte dhe tension të hapur.
Madje, situata u përshkallëzua edhe më tej jashtë transmetimit, ku Jonida la të kuptohej se reagimi i Sonit kishte një prapavijë më të thellë, duke folur për “fytyra të vërteta” dhe qëndrime të mbajtura “nën hije”.
Megjithëse raporti i tyre ka pasur edhe momente pozitive në të kaluarën, nga skenat e përbashkëta te kujtimet e ndara në intervista, duket se “Ferma VIP 3” nxori në sipërfaqe një dinamikë që nuk ishte aq e thjeshtë sa dukej.



