Këngëtarja italiane Elodie duket se ka vendosur të mos e mbajë më private marrëdhënien e saj me balerinën shqiptare Françeska Nuredini
Në disa foto të publikuara nga pushimet në Japoni, artistja publikoi edhe momente me Françeskën, ku të dyja shfaqen duke u puthur dhe përqafuar, në atë që fansat po e konsiderojnë si “zyrtarizimin” e lidhjes së tyre.

Prej muajsh në rrjetet sociale qarkullonin aludime për një raport romantik mes tyre, sidomos pas paraqitjeve të shumta bashkë gjatë turneut muzikor të Elodie-s dhe pushimeve në Tajlandë. Por kjo është hera e parë që këngëtarja publikon vetë imazhe kaq personale, duke mos lënë shumë vend për interpretime të tjera.

Lidhja e tyre nisi në skenë. Françeska Nuredini, 23 vjeçe, është pjesë e trupës së baletit që ka shoqëruar Elodie-n në koncertet dhe performancat e fundit, ndërsa bashkëpunimi profesional duket se është kthyer dalëngadalë në diçka më personale.
Në një intervistë të dhënë pak kohë më parë për “Le Mile Magazine”, Françeska foli për raportin me këngëtaren italiane, duke e përshkruar si një lidhje që “shkon përtej skenës”.
“Ishte një përvojë jashtëzakonisht e kënaqshme, si artistikisht ashtu edhe personalisht. Në skenë, u ndjeva e lirë të isha vërtet vetvetja, gjë që nuk është gjithmonë e garantuar,” u shpreh ajo.

Sipas mediave italiane, afrimiteti mes tyre u bë më i dukshëm në fund të vitit 2025, gjatë turneut muzikor dhe pushimeve të përbashkëta në Tajlandë, ndërsa tashmë duket se dyshja nuk ka më ndërmend ta fshehë lidhjen.



