11.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kopilat e gjyshit tim, që sot kanë marrë pushtetin

    Nga Edison Ypi

    Kopilin e parë të gjyshit tim e takova te Ura e Dragotit;

    -S’ka njeri në Luginën e Vjosës të mos e njohë gjyshin tënd, tha. Ishte serioz, autoritar, i drejtë, dhe qefli i madh. Unë jam, dhe për nder e kam që jam, kopil i gjyshit tënd.

    Afër Piskovës një mesoburrë me një hundë të madhe sa një kalli misri.

    -Gjyshin tënd këtu e njohin edhe zajet e Vjosës, edhe shkëmbinjtë e Nëmërçkës. Gruaja e parë i doli shtërpë. Pa e larguar të parën, të dytën mori një fisnike Skrapari, bijë Beu në Veleshnjë. Mori edhe një grua të tretë. Por e mbajti pak. E thirri babai i Teqesë së Alipostivanit, i tha largoje, dhe Beu e largoi.

    -Sa mirë e mbajtke ment Beun. Po kryetarin e kooperativës, sekretarin e partisë, operativin e zonës, i mban ment zotrote ?

    -Mos m’i kujto ata mutër. Ndjehem krenar që jam kopil i gjyshit tënd.

    Tjetër kalimtar, me kosore në sup;

    -Kam qënë kryetar këshilli. Të gjithë më kanë harruar. Mirë kanë bërë. Jam kopil i gjyshit tënd. Më bëri me një hyzmeqare.

    Te Rrapi i Pacomitit 83 vjeçar me njërin sy prej qelqi thotë se e mban ment mirë Beun. Sa tokë, sa bagëti ka pasur. Ishte i shkolluar në Stamboll. Fliste dhe shkruante Shqip dhe turqisht. Vishej sipas modës europiane me frak dhe kapele republikë. Kostumet i qepte në Gjirokastër dhe Selanik. Nderonte Rilindasit, veçanërisht Naimin. Kishte respekt për gjërat e shkruara, dokumentat, sidomos ato të pronësisë. Ishte sevdalli’. Kur erdhi Italia, vuri duart në kokë, ra mbi mangall duke shqiptuar fjalët lapidare; “Bo-bo, ramë në dorë të fukarajt”. I di këto dhe të tjera sepse jam kopili i tij.

    Një Zonjë; Jam mësuese. Beun në këto anë e kujtojnë sikur të ishte ende gjallë, sikur ka vajtur diku dhe me sot me nesër pritet të vijë. Beu ishte qefli i madh. Plotsonte më së miri dëshirat e fshatarkave. Njëra nga pasojat e këtyre dëshirave jam vetë unë që jam njëra nga kopilet e gjyshit tënd. Komunistat nuk i kapën dot rekordet e Beut në Dashuri. Në bërjen e seksit komunistat pengoheshin nga parimet e marksizëm-leninizmit.

    Një djalë i ri me biçikletë dhe çantë;

    -Di gjë ti për Beun, gjyshin tim ?

    -Të kam zili që je nipi i Beut. Babai im dhe nëna ime janë kopil Beu dhe kopile Beu. Domethënë unë jam stërkopil Beu. Të gjithë ne këtej kopilat dhe stërkopilat e gjyshit tënd jemi. Unë stërkopili i Beut kam mbaruar në Amerikë për Etnopsikologji. Po bëj Doktoraturë “Për Bejlerllëkun dhe Kopil’llëkun”, pra për jetën dhe veprën e gjyshit tënd si Bej dhe jetën time si stërkopil. Një nga kapitujt më pikantë do jetë “Pse nuk e harron kopili Beun ?” Më mahnit gjyshi yt i lavdishëm. Komunizmi dhe komunistat ishin mish i huaj për këtë vend.

    Gjyshi yt ishte produkt autentik i Luginës së Vjosës. Mardhënia e fshatit me Beun, ishte e natyrshme, e vetvetishme, e përshtatur në shekuj. Fshati dhe Beu ishin simbiotikë. Beu ishte si fshati, fshati ishte si Beu. Gjithçka ishte e natyrshme si hallkë e zinxhirit të shkakpasojës në luftën për mbijetesë. Kujtimi i gjyshit tënd madhështor e bëri pluhur e hi propagandën e përbindëshme me libra dhe filma që komunistat bënë kundër tij. Komunistat sa më tepër e luftuan, aq më të pavdekshëm e bënë Beun. E kam për nder që jam stërkopil i gjyshit tënd. Të qënët stërkopil më ka ndihmuar goxha për t’ju futur me themel Bejlerllëkut dhe kopil’llëkut. Kur ti nipi i Beut nuk ishe as 10 vjeç, që shtëpia jote dukej si OKB-ja në seancë plenare.

    Bejlereshat, me në krye më të fismen dhe më të kënduarën e tyre, nënën tënde, rrufisnin kafe dhe tymosnin duke folur për Europën, Amerikën, Rusinë, arrestime, internime, burgime, pushkatime, ilakara, Bejlerë, Teqe, Baba Teqeje, Dervishë, Myhypë, Qatipë, Poetë, Bejtexhinj, tregëtarë, hyzmeqarë, kopila, kopile. Bejlereshat flisnin edhe për Beun sevdalli, gjyshin tënd, ndaj të cilit unë stërkopili i tij ndjehem falenderuas që më ka sjellë në jetë. Babai yt nuk merrte pjesë në këto seanca. Ai ishte Bej kolonjar. Rrihte lart. Fliste për Aristotelin, Arkimedin, Neronin, Monarkët e shquar, Shekspirin, Gëten, Tolstoin, Kolombin, Magelanin, Tomas Edisonin, Henri Fordin.

    Unë stërkopili i shkolluar i gjyshit tënd tashmë e kam të qartë se Bejlerët dhe Bejlereshat janë si Dhëmbeli dhe Nëmërçka, ndërsa kopilat dhe kopileshat si ujët e Vjosës. Mos u habit se në këtë vizitë takove vetëm kopila, kopile, dhe mua stërkopilin. Bota është e Bejlerëve. Por ndodh ndonjëherë, që për t’i sjellë në vete Bejlerët, pushtetin e marrin kopilat. Prandaj s’gjejmë karar. Nuk bëhet Shqipëria me kopila që vinë e ikin me ngut. Shqipëria bëhet me Bejlerë të ngeshëm për të cilët nuk është kurrë as herët as vonë, këtu kanë qënë e këtu do jenë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit