4.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ku ka të drejtë dhe ku tregohet i pa sinqertë Edi Rama

    Nga Irena Beqiraj

    Kohët e vështira kanë nevojë për bashkëpunim dhe mirëkuptim. Padyshim që edhe qeveria jonë ka nevojë për mirëkuptimin qytetar, pasi kohët që po kalojmë janë vërtet të vështira. Por ky mirëkuptim kërkon sinqeritet dhe aspak arrogancë.

    Në 25 Shkurt Kryeministri na tha “Ne jemi i vetmi vend apo me ndonjë përjashtim, që nuk e kemi prekur çmimin e energjisë”.

    Në fakt kjo nuk është vërtetë. Keq-informimi  i ka këmbët e shkurtra, por në kohën e internetit i ka edhe më të shkurtra. Një kërkim në paketat që ofruan qeveritë e Europës pas Tetorit 2021 kur edhe filloi rritja e energjisë në tregjet botërore, na informon që të gjitha qeveritë,në varësi të strukturave të tregut të energjisë (të deregulluara ose jo) morën të gjitha masat e nevojshme për të mos lënë që barra e rritjes së çmimit të kalonte tek konsumatorët final familjarë apo edhe tek bizneset.

    Përshembull Spanja, e cila së bashku me Italinë dhe Portugalinë përjetuan rritjen më të madhe të kostove të energjisë, tashmë kanë ulur taksat e energjisë, duke hequr taksën 7% për prodhimin e energjisë, si dhe duke ulur TVSH-në e shitjen e saj për konsumatorin familjar nga 21% në 10%.

    Apo Austria, e cila më 28 janar 2022 ofroi një paketë lehtësimi prej 1.7 miliardë eurosh për pothuajse të gjitha familjet. Familjet do të marrin 150 euro në muaj kompensim për koston e energjisë, një shumë që do të dyfishohet për familjet me ndihmë ekonomike. Gjithashtu, po studiohen skemat e rimbursimit të taksave që paguan sektori privat.

    Lista e më poshtme ka një përmbledhje të masave të marra nga qeveritë europiane. Thënë këtë,  asgjë për t’u mburrur nga vendi ynë.

    Ndërkohë duhet të themi që Shqipëria që pa filluar kriza kishte çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, sidomos për bizneset.

    Por gjithsesi, qeveria shqiptare zgjodhi që me anë të buxhetit 2022 të financojë vetëm sektorin energjitik me 8 miliardë lek hua, dhe të mos bëjë asnjë ulje të taksave. Për më tepër i la gjithë bizneset prodhuese në mëshirë të fatit, të cilët u detyruan të përballojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

    “Paketa e rezistencës” që prezantoi qeveria dy ditë më parë  ka po të njëjtën filozofi. Ajo kushton 26 miliardë lek ose 260 milion dollarë, ku pjesën e luanit 200 mln dollarë e zë mbështetja buxhetore e dhënë sektorit energjitik. Por këtë herë  nuk i ka  dhënë borxh sektorit por ka vendosur te rrisë të ardhurat e sektorit me 200.000 000dollarë.

    Por pse qeveria vendos të financojë OSHEE-në? Përse indeksimin e pensionit të cilën e ka detyrim ligjor e quan ndihmë? Përse i duket majftueshëm të jap 3.000 lek në muaj ose 13 litra naftë bonus për shtresat në nevojë? Përse nuk pranon të ulë TVSH-në apo akcizën ?

    Po e nis nga kjo e fundit. E para, qeveria e di që në tregjet monopol dhe oligopol ku aktorët nuk janë as prodhues por thjesht importues, ulja e taksave, edhe veçanërisht ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar,  nuk shkon tek konsumatori, pra vështirë se reflektohet në uljet e çmimit, por mbetet në xhepat e kompanive. Dhe fati ynë i keq është se të gjitha tregjet e komoditeteve apo produkteve bazë i kemi ose oligopol ose monopol.

    Nërkohë po të analizojmë të ardhurat buxhetore për periudhën Janar -Shkurt, rritja kryesore e tyre vjen nga të ardhurat doganore me rreth 5.1 miliard. Për më tepër kjo rritje 71% vjen si rrezultat i rritjes së çmimeve dhe 29% nga rritja e sasive. Ndërkohë që plani akzicës e cila është një taksë fikse që nuk varet nga çmimi por nga sasia nuk është realizuar. Çdo ulje e normës së TVSH-së do të çonte më shumë para në xhepat e pak bizneseve dhe më pak para në buxhet.

    Në kushtet e një strukture të tillë tregu çdo ekonomist objektiv,  do t’i rekomandonte kryeministrit të tregohej i kujdesshëm me prekjen e normës së TVSH-së apo të akzicës e cila është në nënplanifikim, pasi kjo do të prekte stabilitetin buxhetor të një vendi që ka nivelin e borxhit 80% të PBB. Çdo ekonomist objektiv do të rekomandonte që këto para të shkonin në buxhet por të mirë-menaxhoheshin.

    Teksa indeksimi i pensioneve është deyrim ligjor, edhe është një lojë fëminore kur futet tek paketa e ndihmës,padyshim që çdo shqiptar është dakord që rritja e të ardhurave buxhetore të shkojë si bonus tek pensionistët, tek njerëzit me aftësi të kufizuar,  shtresat në nevojë , apo fermerët duke i mbështetur ato më shumë.

    Por mesa duket  me 77% të shtesës së të ardhurave në buxhet të cilat i paguan konsumatori dhe 77% të shkurtimeve të bëra tek shpenzimeve buxhetore, qeveria ka vendosur të financojë sektorin “famëkeq” energjitik. Ky në fakt ,është sektori gangren i të gjitha kohërave, ku asnjë qeveri nuk ka bërë transparencë dhe është e vështirë për publikun të ndajë shapin nga sheqeri. Madje edhe donatorët e kujdesshëm dhe diplomatikë, nuk kanë nguruar të shprehin haptazi pakënaqësinë me performancën e sektorit . Qartazi është konsideruar sektori ku pas politikave sociale fshihet keqmenaxhimi apo keq-qeverisja. Eshtë e dhimbshme ta thuash këtë, sidomos për qeverinë socialiste e cila e kishte reformën e sektorit energjitik kalin e betejës. Për shëndoshjen financiare të tij nuk nguruam të fusnim në burg njerëz, por sërish sektori nuk ka mundur të mbijetojë asnjë minutë, pa mbështetjen buxhetin e shtetit.

    Fakt është që edhe pse prodhimi vendas plotëson nevojat energjitike, konsumin plus humbjet në rrjet , (përshembull në vitin 2021 u prodhuan 8.9 terravat u faturuan 6.6 terravat edhe humbjet ishin 1.78 terravat), edhe pse kemi e kemi paguar energjinë me çmimin më të lartë krahasuar me rajonin, prap nuk ja kemi dalë të kemi një sektor energjitik fitimprurës. Megjithëse sipas të dhënave të doganave,ky vit ka nisur më mbarë se ai që kaloi pasi kemi një ulje të importit të energjisë nga 355.307 në 216.600 Megavatt për periudhën Janar – Shkurt gjë që tregon rritje të prodhimit të brendshëm, sërish qeveria e sheh “katastrofën financiare” vetëm tek çmimi energjisë, edhe ka vendosur t’i rezistojë rritjes së çmimit të bukës, vajit, sheqerit orizit perimeve karburantit, duke i dhënë 77% të paketës, gropës energjitike që duket se nuk do të mbyllet kurrë.

    Me këtë nuk dua të them që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në sektorin energjitik, me këtë dua të them që sikur Kryeministri pasionin për të shpjegur armiqtë e padukshëm e të dukshëm, ta vendoste në mirë menaxhimin e sektorit energjitik duke filluar që nga përdorimi i  kontratave të shkëmbimit apo kontratave të përcaktimit në avancë të çmimeve të blerjes edhe të shitjes së energjisë, edhe duke vazhduar tek nikoqirisja skrupuloze e çdo leku të harxhuar në sektor, padyshim do të kishte mundësi të ishte më i sinqertë edhe më i mirëkuptuar nga qytetarët e tij.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit