14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kush do ta fitojë këtë përplasje, nga e cila s’ka kthim pas?

    Nga Aranit Muraçi

    Beteja mes “dy qytetërimeve” në Shqipëri!

    Ata që pretendojnë se “shpikën” demokracinë në Shqipëri, e bashkë me të sollën liri, begati dhe drejtësi për shqiptarët, ndërkohë, që në të vërtetë për t’u pasuruar në kurriz të popullit shpërdoruan si mos më keq besimin e qytetarëve, tashmë, për të mbrojtur pushtetin e padrejtë ekonomik dhe atë politik u kanë mbetur dy rrugë; e para, një bashkëpunim akoma edhe më i fortë me kundërshtarin e sajuar “pas perdeve” dhe prapaskenave të shëmtuara politike, dhe e dyta, riciklimi.

    Ata e dinë shumë më mirë se fuqia ekonomike që si burim të vetëm ka në origjinën e saj grabitjen e pasurisë së përbashkët kombëtare, e ngritur me djersë e sakrifica nga i gjithë populli shqiptar gjatë 45 viteve të regjimit komunist bashkë me korrupsionin madhor gjatë 33 viteve të tranzicionit, është dhe mbetet jo vetëm e pajustifikuar por edhe kriminale. E dinë që pasuritë e dala jashtë kontrollit prej tyre do të jenë gjithnjë të ekspozuara ndaj ‘syrit’ të drejtësisë së re e të pavarur (e cila premton të mos jetë më nën kontrrollin e tyre si deri më sot) sikurse, veç kësaj, privilegjet u janë kërcënuar më shumë se kurrë prej zhvillimit shoqëror dhe konkurrencës së tregut të lirë.

    Sot beteja nuk është më ajo klasike, e 20 viteve të para të tranzicionit mes dy kampeve politike që prodhoi regjimi komunist. Beteja që ka nisur në vitin 2016 dhe po bëhet gjithnjë e më e ashpër deri në humbjen përfundimtare të njërës palë është duke u zhvilluar mes dy kampeve të shoqërisë; në njërën anë qëndrojnë njerëzit e ndershëm pavarësisht sa të ardhura sigurojnë në fund të ditës, punëtorë, profesionistë dhe progresistë të shoqërisë, me apo pa parti, brenda apo jashtë institucioneve publike, të cilët jetojnë në fshat apo në qytet, kanë apo jo arsim, që kanë zgjedhur ose jo emigracionin. Ata janë mbi 80 për qind e popullsisë, kryesisht të papërfaqësuar ose të përfaqësuar dobët politikisht.

    Pjesën tjetër përballë tyre e përfaqësojnë të “gjithpushtetshmit” e pandëshkuar me parti, hileqarë, të cilët ndërveprojnë bashkë me zullumqarët, hajdutët, manipulatorët, dembelët dhe të paftët që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të bëjnë zhurmë përmes pagesës në çdo hapësirë të mundshme publike, dhe të bashkëpunojnë me çdo kundravajtës ligjesh dhe rregullash, me ose pa ngjyrë, brenda ose jashtë institucioneve publike etj.

    Dy kampet e shoqërisë shqiptare aktualisht në konflikt me njëri-tjetrin i ndau dalëngadalë rrugëtimi që ndoqën gjatë tranzicionit. Por me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë do ti ndajë përfundimisht edhe e ardhmja. Shumica dërrmuese që mbështeten natyrshëm dhe instiktivisht tek e drejta dhe mbështesin institucionet e reja të drejtësisë, me në krye Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme, institucione që u krijuan me ndihmën dhe me fuqinë e aleatëve të Shqipërisë, veçanërisht të SHBA-së, sa më shpejt të distancohen nga të dytët, aq më mirë do të jetë.

    Të dytët, shumë më të paktë, i mbron fuqia e pushtetit ekonomik dhe atij politik që ngritën përmes vjedhjes dhe manipulimit për interesat e tyre vetjakë. Për interesat e tyre të dytët kanë dhënë prova se janë gati të bashkëpunojnë me krimin e organizuar, madje edhe me armiqtë historikë të Shqipërisë, sa herë që të jetë nevoja.

    Në këtë konflikt të hapur të parët, të pastër, e dinë që i bashkon e drejta, progresi dhe jo interesi personal. Edhe pse më të varfër ata janë dhe do të mbeten më të shumtë. Edhe pse të përçarë, në këtë betejë ata do të mbeten gjithnjë më të qetë. Të dytët si dallim janë më të paktë, por shumë më të pasur, të organizuar, por të frikësuar, sepse janë të kapur në krime e në zullume të rënda. Ata pa u dënuar ndihen fajtorë ngaqë e ndiejnë se faktori ndërkombëtar dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar i kanë identifikuar si keqbërës, grabitës, hileqarë, i kanë kapur si bashkëpunëtorë të krimit ordiner dhe atij të organizuar, si trafikantë dhe pazarxhinj të paskrupullt në dëm të interesit tonë kombëtar dhe të ardhmes së përbashkët.

    Të parët janë të gjithë ata të cilët jetojnë mbi të vërtetën, kërkojnë drejtësi, punojnë, e duan zhvillimin personal dhe shoqëror përmes garancisë që duhet të japin institucionet e pavarura të drejtësisë të cilat duhet të ishin ngritur me kohë. Të dytët edhe pse kanë përgjegjësi politike që nuk i ngritën duke mos njohur dhe mbajtur asnjë përgjegjësi, i sulmojnë, i pengojnë, i intimidojnë institucionet e reja bashkë me ata që po luftojnë për ti ngritur ato si domosdoshmëri historike, si shpërblim për të parët, për shqiptarët e ndershëm. Të dytët do të vazhdojnë që ta përdorin pushtetin e pamerituar mbi mashtrimin, shpifjen dhe përçarjen, për interesin e tyre personal, deri në humbjen përfundimtare të betejës.

    Asnjë betejë nuk parashikohet se sa mund të zgjasë. Në rastin tonë fituesi nuk do shumë mend. Ai është i padiskutueshëm. Sa më shpejt në kohë të fitohet kjo betejë dhe sa më parë të shpallet fituesi, aq më e mirë dhe e fortë do të bëhet shoqëria, demokracia, Shqipëria. Mjafton që të parët të kuptojnë se janë çliruar nga ‘pengmarrja’ historike dhe të dytët, pavarësisht rezistencës, të pranojnë se e kanë humbur me turp betejën karshi së drejtës.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit