Behgjet Pacolli është tërhequr nga Aeroporti i Vlorës, duke thënë se nuk është më prona e tij. Ai ka shpjeguar në llogarinë e tij se pavarësisht se ka investuar mbi 310 milionë euro (afërsisht 310 miliardë lekë) nga mjetet e tij financiare për aeroportin, ai nuk mund të luftojë me shtetin.
“Aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e mia financiare. Janë mbi 310 milionë euro të investuara dhe të angazhuara në formë garancish. Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s.
Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor. Çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, koha do ta tregojë. Pa merak”, shkruan ai.
Reagimi i miliarderit shqiptar vjen pas përplasjeve të ditëve të fundit në kantier, ku Policia e Shtetit nuk ka lejuar punonjësit e kompanisë së tij “MABCO” të futen në mjediset e punës në Aeroport, duke favorizuar aksionerin tjetër në minorancë me të cilin Pacolli është në konflikt.
I pyetur nga një gazetar shqiptar, siç thotë ai, se çfarë do të ndodhë me njerëzit që tani kanë mbetur pa punë dhe a do të paguhen nënkontraktorët, Behgjet Pacolli shprehet:
“Ata janë paguar dhe çdo detyrim i mbetur do të paguhet deri në centin e fundit. Sa u përket punëtorëve dhe ekspertëve tanë, ne do të përpiqemi t’i angazhojmë në projekte të tjera jashtë vendit. Ata për ne kanë vlerë dhe nuk do të lihen pas dore.
Por për këta njerëz, përveç anës financiare, ekziston edhe një problem shumë më i madh: ai njerëzor dhe moral. Këta njerëz janë prekur në dinjitetin e tyre nga ndërhyrja e policisë. Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat, materialet personale, materialet e punës në magazina dhe shumëçka tjetër.
Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës — i atyre që në këtë projekt kanë dhënë mundin, djersën, profesionalizmin dhe një pjesë të jetës së tyre.
Pikërisht këtu qëndron padrejtësia më e madhe. Çështjet materiale të MABCO-s, herët a vonë, do të rregullohen me ligj. Por dëmi që i bëhet dinjitetit të njeriut, besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve nuk riparohet lehtë.
Unë, për aq sa është e mundur, do të vazhdoj të mbroj interesin e kombit, interesin e punëtorëve dhe parimin se shteti duhet të jetë garant i ligjit — jo instrument presioni ndaj atyre që punojnë, ndërtojnë dhe investojnë.”
Behgjet Pacolli thekson se objektet të cilat MIE, më 24 gusht, i kishte ndarë nga tërësia e projektit dhe i kishte përcaktuar për t’u përfunduar nga MABCO, janë faktikisht të përfunduara. Që nga marsi i këtij viti, në pritje të përmbushjes së detyrimeve nga VIA, kompania e miliarderit ka pastruar objektet, ka kryer punimet përfundimtare dhe ka rregulluar edhe gjelbërimin përreth.



