23.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Lufta ukrainase me Rusinë dhe lufta shqiptare me trafikun

    Nga Lutfi Dervishi

    Sa herë që ka një vizitë të një zyrtari të lartë në kryeqytet, një maratonë, samit apo një ditë pa makina, titulli që të cingërrin nervat përmblidhet veç me dy fjalë: Blindohet Tirana!

    Dhe me “blindim” nënkuptohet bllokimi i qarkullimit në rrugë, një kthim pas në ditët e kovidit ku dalja në rrugë në këmbë ose në makinë përbënte shkelje e rëndë ligjore.

    Tirana, shpesh kthehet si kështjellat e mesjetës, që sa herë vjen miku apo armiku mbyll dyert dhe banorët rrinë të zënë në çark si minjtë.

    Më e bukura është se nga zelli i tepruar policia bllokon rrugët edhe përpara orarit të njoftuar, thjesht për të “qenë brenda”.

    Trafiku në Tiranë edhe pa bllokim është problem. A ja vlen të paralizosh gjithë ditën ose qoftë edhe një orë një kryeqytet se dikush ka ardhur për vizitë?

    Si ja bënë Gjeneva, ky qytet i paqtë që pret jo më pak se 35 delegacione në ditë pa i shkuar kurrë në mendje t’i kthejë banorët në eremitë brenda shtëpive të tyre?

    A është koha për të menduar për zgjidhjen, ndoshta duhen ndërtuar dy porta te Casa Italia, njëra për dinjitarët dhe tjetra për banorët?

    Distanca nga aeroporit deri në qendër të Tiranës është 10-15 kilometra, le të ndërtohet një rrugë e re, (underground) vetëm për këto raste dhe qeveria nuk i bie më në qafë njerëzve me bllokime vend e pa vend.

    Në kushtet kur kjo rrrugë do vite të mbarojë mund të mendohet për alternativa.

    Përdorimi i eskortave policore. Mjaft vende përdorin eskorta policie për të shoqëruar dinjitarët.

    Kështu bëhet vetëm një mbyllje e pjesshme dhe për pak minuta, pasi qarkullimi vijon sapo kalon kolona e eskortës.

    Si vend i NATO-s mund të përdorim helikopterët nga Rinasi direkt në bulevard para godinës së qeverisë.

    Kështu edhe qarkullimi nuk bllokohet, edhe koha e udhëtimit shkurtohet ku miku nderohet se ndihet më i privilegjuar duke parë nga lart bukuritë që të ofron kryeqyteti.

    Ka edhe variante shumë më të mira. Samitet dhe takimet e rëndësishme të zhvillohen në Rinas, në aeroport ku të ketë një hapësirë të veçantë.

    Ndikimi në trafik mbetet zero – peisazhi fantastik mes kalasë së Prezës dhe kështjellës së Skërnderbeut në Krujë dhe ndërtimi i një qendre konferencash dhe samitesh do të ishte zgjidhje ideale.

    Po çfarë bëjmë tani? E kthejmë gjithë vendin në aeroport…

    Bllokojmë qarkullimin për qindra mijëra banorë sepse na ka ardhur miku në shtëpi.(!)

    Bllokimi mund të jetë zgjidhja më e thjeshtë për autoritetet (siguria dhe telashet janë minimale), por sigurisht që nuk është zgjidhje për njerëzit.

    Gjithësesi, zgjidhja e luftës në Ukrainë mbase është më e përballushme se lufta e përditshme e qytetarëve të Tiranës me trafikun që si zgjidhje ka vetëm kantieret që duket se nuk do mbyllen kurrë.

    1. S. “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” thotë Kryeministri. Dakord, po pse dhe sheshet, rrugët, koha dhe nervat e shqiptarëve. Ato, ç’dreqin i duhen mikut?!
    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit