Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë në një deklaratë për mediat, se marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e blerjes së sistemeve ushtarake dhe teknologjike për sigurinë dhe mbrojtjen, e votuar të hënën në Kuvend nuk është kaluar në shkelje të Kushtetutës.
Nufi duke i’u përgjigjur interesit të gazetarëve, tha se marrëveshja është dëshmi e partneritetit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Marrëveshja me SHBA-në nuk është votuar në shkelje të Kushtetutës. Qëndrimet e PD-së janë të papranueshme për sa i takon Ministrisë së Mbrojtjes. Siguria kombëtare nuk mund të jetë çështje e debatit politik”, tha Nufi.
Ministri theksoi se siguria kombëtare nuk duhet të jetë pjesë e përplasjeve politike.
“Unë di që edhe në të kaluarën qëndrimet e Partisë Demokratike për këtë pikë kanë qenë shumë bashkëpunuese. Në këtë rast, ky nuk është një sinjal i mirë. Përkundrazi, mendoj se të atakohet një marrëveshje e cila financon mbrojtjen është e papranueshme”, u shpreh ai.
“Në çështjet e sigurisë kombëtare nuk ka krahë politikë, dhe sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhënien dhe marrëveshjen që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk duhet të ketë ndarje politike. Fakti që kjo marrëveshje atakohet, për mendimin tim është i papranueshëm. Është një gabim politik dhe mesazhi që dërgojmë është shumë i gabuar”, shtoi Nufi.
Ministri bëri të ditur se programi FMF (Foreign Military Financing) nuk është vetëm një çështje financimi, por edhe një proces që lidhet me transferimin teknologjik, i cili kërkon vullnet politik.
“Ka shtete që dëshirojnë të marrin teknologji të caktuara, të cilat, nëse nuk miratohen nga Kongresi i SHBA-së, nuk mund t’i përfitojnë, edhe nëse kanë mundësi financiare për t’i blerë”, tha ai.
Sipas Nufit, marrëveshjet e mbrojtjes nuk lidhen vetëm me fondet, por edhe me besueshmërinë si aleat.
“Kur vjen puna te marrëveshjet e mbrojtjes, te përfitimi i pajisjeve dhe mjeteve ushtarake, si dhe teknologjisë ushtarake, nuk është vetëm çështje parash. Është edhe çështje e vullnetit politik, e besueshmërisë si aleat dhe e sigurisë që një vend i garanton partnerëve të tij”, u shpreh ministri.
“Marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara sot tregon se Shqipëria është një aleat i besueshëm, i qëndrueshëm dhe një vend që qëndron krah aleancës në aspektin politik, strategjik dhe të vlerave që ne ndajmë së bashku”, nënvizoi Nufi.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi interesin e huasë, ministri tha se kjo çështje i përket Ministrisë së Financave dhe se detajet janë konfidenciale për shkak të natyrës së marrëveshjes.
“Kjo pyetje lidhet specifikisht me Ministrinë e Financave, por ajo që di të them është se, për shkak të natyrës së marrëveshjes, detajet e kësaj natyre janë konfidenciale. Kjo lidhet me faktin se zyra që menaxhon programe të tilla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka si parakusht që të dhënat mbi kushtet financiare apo detajet specifike ushtarake të mos bëhen publike”, tha ai.
Nufi theksoi se transparenca është e rëndësishme, por disa elemente të sigurisë kombëtare nuk mund të publikohen.
“Unë e kuptoj dhe jam plotësisht dakord që në Republikën e Shqipërisë shumica e gjërave duhet të jenë transparente dhe publike, por kur vjen puna te mbrojtja dhe siguria duhet të kuptojmë se ka disa të dhëna që nuk mund të bëhen publike, pasi lidhen me kapacitetet dhe sigurinë kombëtare”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, personat që kanë interes të ligjshëm për të marrë informacion mund ta bëjnë këtë duke përmbushur kërkesat përkatëse të sigurisë dhe konfidencialitetit.
“Marrëveshja është shumë e thjeshtë: financimi nga Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve, sistemeve teknologjike apo ushtarake që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes kalon përmes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Mbrojtjes te prodhuesit e sistemeve. Nuk ka asnjë truk. Është një proces transparent, i pastër dhe i qartë. Fakti që disa detaje nuk bëhen publike lidhet me çështje të sigurisë kombëtare dhe kjo është praktikë e zakonshme në të gjitha vendet e botës”, përfundoi Nufi.



