Nertila Hoxhallari, emigrante dhe aktiviste shqiptare në Gjermani, ka rrëfyer historinë e saj të vështirë, duke treguar se u fejua nga prindërit në moshën 14-vjeçare dhe më pas përjetoi vite dhune në familje. Ajo shprehet se vendimi për fejesën u mor nga familja, në një kohë kur martesa e hershme shihej si normale në komunitetin ku jetonte.
“Si të gjithë prindërit asokohe, ka qenë viti 2005, mendonin më të mirën për fëmijën e tyre, meqë u rrit goca, do ta martojmë si të gjithë. Ishte mentaliteti i tillë dhe prindërit e mi e kanë menduar se do ishte diçka e mirë për mua.
Ne patëm vetëm një takim 5-minutësh. Ne vijmë nga një fshat i vogël i Korçës dhe s’kemi qenë të informuar, unë jo e jo, sepse isha shumë e vogël. U vendos fati im që të merrja këtë djalin dhe mora çfarë më thanë sepse isha vajzë e mirë”, rrëfen Hoxhallari për A2.
Sipas saj, bashkëjetesa u shoqërua që në fillim me dhunë fizike dhe psikologjike, një realitet që, siç thotë ajo, e ka lënë të traumatizuar.
“Ne bashkëjetuan 2 vjet bashkë dhe që në fillim filloi me dhunën, pasi ishte rritur në ambient dhune, atë kishte zhvilluar dhe atë do jepte. Dhunën që ka ushtruar mbi mua s’e harroi kurrë.
Jetonim bashkë me prindërit e tij. Dhuna ka vazhduar sistematikisht nga ai dhe e ëma e tij. Prindërit thoshin do bëhet më mirë, ose merre vendimin vetë. Ka qenë një traumë e madhe për mua. Kam jetuar si në burg. Nuk më lejohej të dilja në rrugë, as vëllain s’më lejohej ta takoja”, tregon ajo.
Rrëfimi i Nertila Hoxhallarit vë në dukje pasojat e martesave të hershme dhe dhunës në familje, duke sjellë në vëmendje sfidat me të cilat përballen ende shumë vajza dhe gra.



