Bella Thorne ka rrëfyer një nga episodet më të dhimbshme të një lidhjeje të kaluar, duke treguar se zbuloi tradhtitë e partnerit pasi përktheu mesazhet e tij me ndihmën e një kamarieri italian. Edhe pse nuk e përmendi kurrë me emër, detajet e historisë duket se i referohen lidhjes së saj me këngëtarin italian, Benjamin Mascolon.
Bella Thorne ka vendosur të flasë hapur për tradhtinë dhe plagët emocionale që, sipas saj, i kanë ndikuar mënyrën se si i përjeton marrëdhëniet. E ftuar në podcastin “Call Her Daddy” me Alex Cooper, aktorja rrëfeu një histori të dhimbshme nga një lidhje e kaluar, duke treguar edhe momentin kur kuptoi se partneri po e tradhtonte.
Thorne nuk e përmendi asnjëherë emrin e personit në fjalë, por disa detaje të historisë kanë bërë që rrëfimi të lidhet me Benjamin Mascolon, me të cilin aktorja ishte në një lidhje nga viti 2019 deri në vitin 2022.
Sipas saj, gjithçka nisi në një periudhë kur duhej të largohej për të xhiruar një film. Partneri i kishte dhënë fjalëkalimin e Instagramit, në përpjekje për t’i treguar se nuk kishte asgjë për të fshehur.
“Unë nuk jam ai lloj personi. Nuk kontrolloj telefonat, nuk shkëmbej fjalëkalime të Instagramit”, tregoi Bella, duke shtuar se kur një çift arrin në pikën ku duhet të kontrollojë njëri-tjetrin, zakonisht “diçka nuk shkon”.
Dhe frika e saj, sipas rrëfimit, rezultoi e vërtetë.
Ishte rreth orës 5 të mëngjesit, teksa po shkonte drejt setit, kur Bella vendosi të hapte disa prej mesazheve në llogarinë e partnerit. Por kishte një problem: mesazhet ishin shkruar në një gjuhë që ajo nuk e kuptonte.
“Ishin të gjitha në një gjuhë tjetër. Ai mendonte se nuk do t’i përktheja”, rrëfeu aktorja.
Fillimisht përdori Google Translate, por situata u bë edhe më e ndërlikuar kur hasi mesazhe zanore. Personat në biseda flisnin shumë shpejt dhe Bella nuk mund ta kuptonte se çfarë po thoshin.
Në atë moment, ajo kërkoi ndihmën e një kamerieri italian, i cili dëgjoi dhe përktheu disa prej mesazheve.
Sipas rrëfimit të Thorne, në fillim kamarieri i thoshte se partneri i saj e adhuronte, se e konsideronte të bukur dhe seksi. Por në një moment ai nisi të bënte mimika të çuditshme dhe refuzoi të përkthente një pjesë të bisedës.
Bella e kuptoi menjëherë se diçka nuk shkonte.
“Mund vetëm të imagjinoj çfarë po thoshte… fakti që i dashuri im po më tradhtonte”, tregoi ajo.
Pas zbulimit, çifti vendosi të kërkonte ndihmë përmes terapisë. Bella rrëfeu se fillimisht kishte fajësuar veten dhe kishte menduar se ndoshta ajo kishte bërë diçka gabim.
“Mendova: jam angazhuar me këtë person dhe, padyshim, kam bërë diçka gabim. Por kjo nuk është aspak e vërtetë”, tha aktorja.
Duke iu drejtuar të gjithë atyre që kanë përjetuar tradhti, ajo dha edhe një mesazh të fortë: “Nuk ke bërë asgjë të keqe.”
Por historia nuk përfundoi me zbulimin e mesazheve.
Pas ndarjes, sipas Bella Thorne, ish-partneri i saj i dërgoi një letër në të cilën bëri një tjetër rrëfim tronditës. Ai i kishte shkruar se e kishte tradhtuar gjatë gjithë katër viteve të lidhjes.
“Më thotë thjesht se më ka tradhtuar gjithmonë gjatë katër viteve tona bashkë”, rrëfeu Thorne.
Por ajo që e bëri edhe më absurde situatën ishte mënyra se si ai e kishte shoqëruar rrëfimin. Sipas aktorës, ai i kishte thënë se nuk kishte qenë kurrë me të njëjtën vajzë më shumë se një herë dhe se po i tregonte gjithçka nga respekti për marrëdhënien.
Dhe më pas, në të njëjtën letër, i kërkonte t’i dërgonte xhaketën e tij prej lëkure Saint Laurent, të cilën e kishte lënë në shtëpinë e saj.
Edhe pse Bella Thorne nuk e përmendi me emër ish-partnerin, detajet e rrëfimit kanë bërë që historia të lidhet me Benjamin Mascolon.



