Analisti Mero Baze thotë se gjithë sjellja në gjyqin e Veliajt tregon se kemi të bëjmë me një grup prokurorësh nervozë që nuk sillen si profesionistë, por me urrejtje.
Por ai shton dhe një detaj që nuk ka të bëj me hetimet e Veliajt. Nëse kjo që ai dëshmon, është e vërtetë, situata në SPAK është shqetësuese.
Shkruan Baze:
“Nëse mbledhim më pas dhe dhjetëra detaje nga hetimet – presionin mbi të thirrurit për të dëshmuar dhe në disa raste disa perversitete me fotografi personale të personave të thirrur – situata duket edhe më e rëndë. Por për këto ka nevojë për një hetim apo një dëshmi para një komisioni hetimor.
Do të mjaftonte rithirrja e aktorit Gazmend Paja të enjten për të kuptuar sa cinike është sjellja e tyre. Gazmend Paja është thirrur dy ditë më parë dhe është pyetur pse ka shkëmbyer një apartament te Kodra e Diellit Nr. 1 me një tjetër te Kodra e Diellit Nr. 2. Nuk ka pasur ndonjë gjë tjetër për të sqaruar.
Një nga këto portalet që SPAK ka angazhuar për linçimin e viktimave të tyre u ankua se nuk e kapi fotografia Gazmend Pajën duke dalë nga SPAK, dhe e thirrën prapë dje që ta fotografonte ai, se pyetje shtesë nuk kishin. Dhe ai pastaj u tall duke thënë se kishte ngatërruar telefonin me prokurorin.
Kjo është linçim jo vetëm i personit nën hetim, por i gjithkujt që atyre nuk u jep dëshmi që shkon në favor të objektivit të tyre…”



