Një lajm i trishtë ka prekur mjekësinë shqiptare, pasi mbrëmjen e djeshme është ndarë nga jeta mjeku i njohur pediatër dhe neonatolog, Edi Tushe.
Doktor Tushe ishte një nga figurat më të respektuara të mjekësisë në vend dhe ndër pionierët e shërbimit të neonatologjisë në Shqipëri. Për dekada me radhë, ai qëndroi pranë brezave të tërë të fëmijëve dhe prindërve shqiptarë, duke u kthyer në një emër të dashur dhe të besuar për kujdesin ndaj të porsalindurve.
Pas suksesit profesional dhe kontributit të jashtëzakonshëm në mjekësi, në jetën e tij personale fshihej edhe një histori e dhimbshme. Në një rrëfim të dhënë muaj më parë në Top Channel, përballë gazetarit Edi Manushi, ai tregoi se nuk kishte mundur të takonte djalin e tij që prej vitit 2003.
“Jam përpjekur të lidhem edhe me njerëzit e ish bashkëshortes sime, sepse kam një marrëdhënie të mirë me ta. Nuk është e lehtë ti shpëtosh një indoktrinimi të caktuar. Të gjithë ata që ikën andej, (në Kanada) i kanë prerë marrëdhëniet me Shqipërinë”, është shprehur ai.
Po ashtu ai ka treguar se djalit të tij i kishte vënë emrin Idlir dhe se gjatë një vizite në Tiranë kishte parë nga afër dashurinë që familja kishte për të.
“E pa në Tiranë sesa e donim ne. Ka edhe një foto nga zyra ime dhe aty pati atë dëshirën e vet për të vazhduar mjeksinë. Nuk di ta shpjegoj arsyen se pse u shkëput” tha doktori i njohur.



