Një shëtitje e zakonshme verore është kthyer në një aventurë të papritur për moderatoren Franceska Rustem, e cila ka treguar në rrjetet sociale momentet e tensionit të përjetuara në mes të detit.
Në videon e publikuar prej saj, mjeti lundrues ku ndodhej së bashku me një grup personash duket se kishte ndaluar dhe nuk mund të vazhdonte udhëtimin e si rrjedhoja modelja ka kërkuar ndihmë në mes të detit. Pas disa çastesh, një tjetër anije është afruar pranë tyre për t’u ofruar ndihmën e nevojshme.
Nga njëra prej pamjeve shihet se personave në bord u dorëzohet një bidon i verdhë. Ndonëse moderatorja nuk ka shpjeguar shkakun e problemit, ky detaj ka ngritur dyshime se anija mund të kishte mbetur pa karburant ose të kishte pësuar një defekt teknik.
Situata duket se ka qenë shqetësuese, pasi në një moment Franceska shfaqet duke ngritur në ajër një sinjal me dritë të kuqe, të ngjashëm me pajisjet që përdoren në det për të treguar vendndodhjen dhe për të kërkuar ndihmë në raste emergjente.
Moderatorja e ka shoqëruar videon me një koment ironik, duke e lidhur eksperiencën e pazakontë me “syrin e keq”.
“Shenja ime që të filloj të besoj në syrin e keq, sepse kjo më ndodhi në një ditë të zakonshme gushti”, ka shkruar Rustemi.
Franceska nuk ka bërë të ditura detaje të tjera për vendin ku ndodhi incidenti apo për shkakun e vërtetë të ndalimit të anijes. Megjithatë, nga pamjet duket se ndihma ka mbërritur në kohë dhe të gjithë personat në bord kanë dalë nga situata pa pasoja.



