Deputetja e PL, Monika Kryemadhi ka folur për divorcin e saj me Ilir Metën. Kryemadhi e ftuar në emisionin “Opinion” tha se raporti mes saj dhe Metës është krisur më 1 Prill. Ajo pretendoi se informacionin e divorcit me Metën e ka parë në media dhe nuk ka kërkuar asnjëherë arsyen e ndarjes. Ndër të tjera ajo tha se çështjet politiko-personale nuk dëshiron t’i diskutojë në aspektin emocional.
“Unë nuk do të marr pjesë as në seancën e radhës. Ai që e ka inicuar ai le ta komandojë si proces. Pjesa tjetër e marrëdhënies personale është një çështje që i takon familjes tonë. Nuk jam as e para as e fundit që i ndodh kjo gjë. Çështjet politiko-personale nuk dua t’i diskutojmë fare në aspektin emocional. Marrëdhënia ime është si një deputete.
Raporti është thyer më 1 prill të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë nuk kam pasur asnjë prononcim. Për mua kjo është e kaluar, vazhdoj të eci para për fëmijët e mi. Nuk e kam kërkuar asnjëherë arsyen e ndarjes. Informacionin e divorcit e kam parë në media.
Një gazetar më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që është bërë padia për ju ndërkohë që po shikoja ndeshjen Shqipëri – Francë. Nuk jemi ulur ta bisedojmë ndonjëherë dhe nuk kam asnjë shpjegim prej tij” – tha Kryemadhi.
“Tani po xhiroj një film”
Monika Kryemadhi ka zbuluar se i ka hyrë botës së kinematografisë.
“Unë kam disa projekte në dorë duke bërë. Jam në realizimin e një filmi artistik, me një grup të rinjsh, kam një rol të rëndësishëm, i cili quhet “Me fat”. Është një film shumë interesant që ka në thelb familjen, ëndrrat e të rinjve për t’i realizuar dhe se si sfidat me të cilat ata përballen dhe përplasen, shoqëria në të cilën ne jetojmë e cila vjen në mënyrë nga më të ndryshmet.
Shpresojmë që ta nxjerrim në verë shumë shpejt, jemi duke xhiruar, janë xhiruar një pjesë e skenave dhe jemi duke xhiruar. Jam e bindur që do t’ju pëlqejë sepse është shumë interesante. Mendoj që do të jetë diçka ndryshe që ka një lloj ndikimi sadopak edhe në jetën time politike dhe aktive” – tha ajo.