Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë në Divizionin e Anijeve Detare të kompanisë Fincantieri në Muggiano të Italisë, në kuadër të partneritetit mes Shqipërisë dhe gjigantit italian të industrisë detare.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vizita u zhvillua në një nga qendrat më të rëndësishme evropiane për ndërtimin e anijeve ushtarake dhe sistemeve detare.
Gjatë qëndrimit në kantier, ministri u njoh nga afër me proceset e projektimit, prodhimit dhe integrimit të platformave moderne detare, si edhe me standardet e menaxhimit industrial, kontrollit të cilësisë dhe organizimit të një kantieri të integruar për ndërtimin e anijeve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi theksoi rëndësinë e vizitës për zhvillimin e projektit të përbashkët në Shqipëri.
“Vizita shërbeu si një mundësi shumë e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me praktikat më të mira të FINCANTIERI, në funksion të zhvillimit të kapaciteteve industriale në Shqipëri dhe zbatimit të projektit të përbashkët ‘Fincantieri Albania’ në Vlorë”, u shpreh ministri.
Partneriteti me Fincantieri synon të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve industriale dhe detare në Shqipëri, ndërsa projekti “Fincantieri Albania” në Vlorë konsiderohet një nga investimet strategjike në këtë sektor.



