9.5 C
Tirana
E premte, 3 Shkurt, 2023
More
    spot_img
    spot_img

    Ndërtimi vetëm në Shqipëri s’njeh krizë, arriti rekordin historik në 2021: Vrulli pritet të vazhdojë me ritme më të larta

    Sektori i ndërtimit ka njohur rritje të fortë vitet e fundit, pas rënies ciklike që kishte nisur nga 2008, duke arritur një rekord të ri në vitin 2021.

    Sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor, Produkti i Brendshëm bruto (PBB) i sektorit të ndërtimit, i matur me çmime korente, që vlerëson transaksionet ekonomike të sektorit[1] arriti në 180 miliardë lekë (1.5 miliardë euro) në vitin 2021, duke shënuar një nivel rekord historik (shiko grafikun: PBB me çmime korente, Ndërtimi, 1996-2021).

    Pas ndryshimeve të tranzicionit, nga fillimi i viteve ’90, pjesa më e madhe e kapitalit të lirë në vend ka shkuar për të ngritur apartamente e banesa private. Zhvillimet e vrullshme demografike dhe zhvendosja e popullatës nga zonat rurale në ato urbane e nxitën këtë tendencë, që kulmoi në ciklin rritës deri në vitin 2008.

    Pas kësaj periudhe, ky sektor hyri në një cikël maturimi dhe rënieje, duke reflektuar ngopjen e tregut dhe orientimin e bizneseve drejt sektorëve të tjerë. Në vitin 2013, ndërtimi arriti në nivelin më të ulët që prej 2005-s.

    Por, pas vitit 2013, ndërtimi iu kthye sërish rritjes i nxitur si nga projektet e infrastrukturës ashtu dhe nga rikthimi i vrullit të projekteve rezidenciale, sidomos në kryeqytet, për të arritur një rekord të ri në 2021-n.

    Kjo tendencë pritet të vijojë, bazuar në sipërfaqen e lejeve të ndërtimit në 2021 dhe 6 mujorin e parë 2022. Sipas INSTAT, në vitin 2021, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ishte 1.6 milionë metra katror, nivel rekord të paktën që nga viti 2010 kur raportohen të dhënat, nga të cilat gati 80% ishin për ndërtime rezidenciale.

    Po sipas INSTAT, vetëm në 6-mujorin e parë 2022 u dha në kryeqytet gati 1.2 milionë m2 sipërfaqe leje ndërtimi, ose sa 75% e sipërfaqes së dhënë për gjithë vitin 2022 (shiko grafikun: Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit dhënë në Tiranë, 6 M I).

    Edhe sektori i pasurive të paluajtshme ka përshpejtuar ritmet e rritjes duke filluar nga 2018-a. Sipas INSTAT, PBB me çmime korente në aktivitetin e real estate arriti në 112 miliardë lekë (gati 1 miliard euro) në 2021-n, duke arritur nivelin m ët ëlartë historik të pas tranzicionit (shiko grafikun: PBB me çmime korente Aktivitete të Real estate).

    Pak ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në deklaratën e fundit për Shqipërinë, ka këshilluar që të tregohet kujdes për ndikimin që mund të ketë vrulli i ndërtimeve dhe zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në stabilitetin e sektorit financiar.

    “Ne bëjmë thirrje për monitorim nga afër dhe menaxhim të rreziqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit gjatë viteve të fundit, përfshirë huadhënien e rritur në monedhë të huaj.

    Në këtë kuadër, mirëpresim përpjekjet e BSH për të adresuar mungesën e konsiderueshme të të dhënave mbi tregun e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin, si dhe bëjmë thirrje për mbikëqyrje të shtuar të ndikimit të këtij sektori mbi stabilitetin financiar”, thuhet në deklaratën zyrtare.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit