14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Nëna Shqipëri apo e përdala hipokrizi?

    Nga Viktor Malaj

    Hipokrizia ka qenë historikisht bashkëshoqëruese e njerëzimit, në sjelljet dhe ligjërimet e tij.

    Propagandimi dhe, sidomos, përdorimi në jetën e përditshme i standardeve dhe kritereve të dyfishta apo të shumëfishta, një për vete e një tjetër, të ndryshëm dhe madje të kundërt, për të tjerët, një për grupin shoqëror që i përket si familja, fisi apo partia dhe një tjetër të ndryshëm për pjesën tjetër të popullsisë e, veçanërisht, për kundërshtarin politik, janë dëshmi e mungesës së karakterit, të idealeve dhe parimeve në jetë.

    Përgjithësisht mendohet se hipokrizia shfaqet si  pretendim i individit se për vete gëzon besim, ka mendime, virtyte dhe ndjenja, cilësi apo standarde që realisht nuk i ka. Si e tillë, hipokrizia shërben për mashtrimin e të tjerëve dhe është kështu një gënjeshtër.

    Pak ditë më parë më nxiti të mendoja kësisoj një spot politik i Foltores apo Rithemelimit. Spoti i kërkonte popullit shqiptar t’i bashkohej “revolucionit” imagjinar të Sali Berishës, me pretendimin madhor, por krejt iluziv: “T’i dalim zot Shqipërisë”.

    Spotet politike, ashtu si dhe ato tregtare (komerciale), në vetvete, nuk kanë asgjë të keqe, por problemet fillojnë kur analizojmë “mallin” që kërkojnë të na shesin dhe firmën tregtare / politike që përpiqet të na bindë për blerjen e mallit.

    Në rastin konkret “firma politike” është pjesa më e madhe e PD-së që janë mbledhur rreth Sali Berishës, një individ politik që e ka sunduar Shqipërinë disa herë, e ka mashtruar përherë, e ka çuar në tragjedi dhe kaos jo pak herë dhe që është i shpallur non-grata nga anglo-amerikanët.

    “Malli” që spoti politik përpiqet të na shesë është “revolucioni” për shpëtimin e Shqipërisë. Nga kush dhe nga çfarë kërkohet të shpëtohet Shqipëria dhe shqiptarët? Sipas kushtrim-reklamës politike, shqiptarëve iu bëhet thirrje t’i bashkohen revolucionit për t’i shpëtuar nga “pushteti mafioz, narkotik dhe kriminal” aktual dhe, sidomos, nga Kryeministri në detyrë, Edi Rama.

    Nuk do shumë mundim për të kuptuar se, pasi “revolucioni” të dalë me sukses, shpëtimtarët kryesorë, prijësit e “revolucionit” të kryesuar nga politikani i konsumuar, i vjetëruar, i zvetënuar dhe i inkriminuar Sali Berisha do të vijnë në krye të vendit me premtimet e përsëritura mijëra herë dhe të pambajtura po aq herë, se do të kemi demokraci, liri, barazi, drejtësi, mirëqenie etj.etj.

    Në qendër të spotit ndodhej ish-aktorja dhe ish-deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku e cila, e veshur si një plakë e stërvuajtur dhe me duar e këmbë të lidhura me zinxhirë e pranga, pretendonte se personifikonte “Nënën Shqipëri”.

    Në vitet ’90 znj. Bulku dhe të tjera si ajo na u paraqiten në skenën politike si “ndrikullat e demokracisë” dhe të “Revolucionit Demokratik”. Atëherë ato ishin shumë më të reja dhe të paprovuara e të pakonsumuara politikisht prandaj edhe na joshnin me “hiret dhe premtimet politike”.

    Tani që kanë kaluar mbi tri dekada, që ajo dhe partia e saj janë provuar e stërprovuar në veprimtari politike, shfaqja e tyre si simbolika të “Shqipërisë që lëngon” dhe si borizane të vajtimit, dëshpërimit dhe kushtrimit për shpëtim, jo vetëm që s’ka kurrfarë vlere, por madje është edhe fyerje për ndërgjegjen dhe intelektin e shqiptarëve me dinjitet.

    Në radhë të parë, Shqipëria në asnjë drejtim nuk i ngjan një gruaje të vjetruar, rrëgjuar e burgosur që kërkon shpëtim dhe, çfarë është më e rëndësishme, shpëtimi i saj nuk mund të vijë nga mashtruesit e saj, nga dhunuesit dhe nëpërkëmbësit e saj. Shqipëria ka shumë probleme ekonomike, morale, demokratike e juridike, por asgjë që ndodh në Shqipëri nuk i ngjan gjendjes së një të burgosure të lidhur këmbë e duar.

    T’iu thuash shqiptarëve se vendi i tyre është sot “në ditët e tij më të këqija”, kjo përbën tallje mashtruese dhe vetëdiskredituese. T’iu thuash shqiptarëve sot se shpëtimi iu vjen prej drejtuesit politik të asaj partie që është sprovuar në drejtimin e punëve shtetërore dhe ka dështuar, duke i sjell pasoja të rënda popullit dhe Shqipërisë, përbën fyerje për shqiptarët dhe mungesë të theksuar dinjiteti për udhëtreguesin.

    A vidhet, shpërdorohet dhe abuzohet sot në Shqipëri nga pushteti qendror dhe vendor? Mjaft dhe turpësisht gjithandej. Mirëpo, shpëtimi i vendit dhe i popullit nuk vjen prej atyre që vjedhjet, shpërdorimet dhe abuzimet i kanë pasur pjesë të pandarë të sundimeve të tyre të përsëritura.

    Një roje banke që vjedh nuk mund të zëvendësohet me një njeri të dënuar më parë për vjedhje. Banka sigurohet duke gjetur dhe vendosur si roje njerëz me integritet moral. T’iu thuash sot shqiptarëve se pushteti aktual po “kërkon t’ju vjedh lirinë dhe t’iu mbyllë gojën” prandaj ejani t’i shporrim me revolucion është pohim që nuk përputhet plotësisht me realitetin dhe, njëkohësisht, përçmues se kërkon t’i trajtojë si budallenj, sepse ata shohin çdo ditë ekzistencën dhe funksionimin e qindra mjeteve mediatike si TV, radio, gazeta të shtypura e portale onlajn, si dhe dhjetëra protesta antiqeveritare ku askujt s’i preket e drejta për të folur kundër qeverisë dhe qeverisësve.

    Kur shohin këto, jo pak prej shqiptarëve që S.Berisha dhe R.Bulku i thërrasin për revolucion, iu kujtohen  kohët kur sundimet e udhëheqësve dhe tellallëve të “revolucionit” imagjinar të sotëm rrihnin, plagosnin e burgosnin gazetarë, rrihnin e vrisnin deputetë e protestues opozitarë, manipulonin e dhunonin procese zgjedhore, përgatisnin e armatosnin formacione paraushtarake dhe antikushtetuese për t’i nisur nga Veriu kundër protestuesve në Jug të Shqipërisë, krijonin Gërdecin dhe aferat e tjera korruptive si ato të “Rrugës së Kombit”, Kompleksit Partizani apo CEZ-DIA etj.etj.

    Tani çdokush  ka të drejtë të pyes: Ku ishte “Nëna Shqipëri” e spotit të sotëm politik kur ndodhnin këto dhe shumë akte kriminale të tjera? A nuk ishte partia e kësaj që aktron sot “Nënën Shqipëri”, idhulli dhe lideri i saj politik së bashku me dhjetëra figura e figurina të Rithemelimit që i patën ideuar, drejtuar e frymëzuar ato akte kriminale dhe antidemokratike?

    A ndien “Nëna Shqipëri” e sotme, domethënë Rajmonda Bulku, breje ndërgjegjeje për plagët që i patën shkaktuar Shqipërisë dhe për diskreditimin që i patën bërë “Nënës Shqipëri” të djeshme në vitet 1996, 1997 dhe 1998 ideatorët dhe liderët e “revolucionit” qesharak të sotëm?

    Pse nuk na thërriste atëherë për revolucion dhe për t’i dalë zot Shqipërisë apo mendonte dhe besonte se ajo ishte Shqipëria “si gjithë Evropa” që ndrikullat dhe kumbarët e “Revolucionit të Dhjetorit” na patën premtuar?!

    Nëse shqiptarët, jo për fajin e tyre, u mashtruan më se një herë nga këto “ndrikulla politike”, nuk mund t’ia lejojnë vetes të gënjehen sërish prej tyre, edhe pse kanë veshur maskat e “Nënës Shqipëri”. Shqiptarët nuk mund të bien aq poshtë saqë, të zhgënjyer disa herë nga beniaminët e Perëndimit, tani që ata beniaminë janë shpallur non-grata nga vetë Perëndimi, t’iu shkojnë mbrapa me shpresë e ngazëllim.

    Mjaft është mjaft! Edhe hipokrizia duhet ta ketë një kufi. “Nëna Shqipëri” që na shfaqet në spotin e revolucionit, duke na e quajtur atë “revolucioni i çdo shqiptari” është, në të vërtetë, e përdala Hipokrizi, pasi ai është thjesht “revolucioni” i dështakëve dhe shpërdoruesve të besimit popullor dhe demokracisë.

    Madje, koha provoi pa mëdyshje se shumica e atyre që u shfaqën si udhëheqës, propagandues dhe sipërmarrës të “Revolucionit të Dhjetorit” ishin thjesht mashtrues, hipokritë, arrivistë dhe lakmitarë të pushtetit politik dhe atij ekonomik.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit