Fituesja e Ferma VIP 3, Mimoza Ahmeti, ka ndarë një sërë detajesh nga eksperienca e saj në reality show, duke folur për marrëdhënien me partnerin, vështirësitë gjatë izolimit, refuzimin për të lexuar poezitë në finale dhe projektet e reja televizive.
E ftuar në emisionin “QUO VADIS” me moderatoren Pranvera Borakaj në Vizion Plus, poetja tregoi se partneri i saj polak kishte planifikuar të vinte ta priste në natën finale, por ndryshoi mendje pasi lexoi në ChatGPT se ajo ishte puthur me Ilir Shaqirin.
“Para nja dy-tre ditësh e kam takuar, sepse kam qenë shumë e zënë. Shkova në jug, aty ku e kam lënë. Natyrisht ai fle shumë sepse ka vështirësitë e veta dhe besoj e ka penguar mjaft gjuha që të kuptojë ndonjë gjë. Është edhe nga ata që ndonjëherë i duket shumë banale të tregojë gjërat që di, por një gjë ma tha: ‘U bëra gati që të vija te Ferma kur do dilje ti, që të më gjeje aty. Mora edhe një kilogramë mjaltë nga Polonia që ma kishte sjellë një shok. U futa në ChatGPT dhe e pyes: “Çfarë po bën Mimoza në Fermë?”. ChatGPT m’u përgjigj: “Mimoza është puthur me Ilirin”. E futa mjaltin në dollap edhe rashë e fjeta i qetë.'”
Ahmeti tha se u përpoq t’i shpjegonte partnerit se bëhej fjalë vetëm për një moment skenik.
“Ato janë puthje skenike, i thashë unë, i doje paratë apo jo. ‘I don’t trust you’, më tha.”
Poetja foli edhe për ditët e para në fermë, duke pranuar se nuk e kishte kuptuar menjëherë mënyrën se si funksiononte formati.
“Fillimisht mu duk e lehtë, thashë: ‘Kjo do jetë një shëtitje në fermë’. Nuk e mendoja të ishte ajo që pashë dhe gjeta aty. Pata disa gafa që vinin ngaqë nuk orientohesha dot fare.”
Ajo rrëfeu se nuk e dinte që kamerat ishin aktive gjatë gjithë kohës.
“Unë nuk e konceptoja që çdo dhomë dhe gjatë gjithë kohës ishim në kamera. Kur shkova të flija, pastaj e kuptova. Më thoshin: ‘Është prime, duhet të ngrihesh’. Mirëpo unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, sepse nuk kisha parë ndonjëherë një format të tillë. ‘Primer’ kisha dëgjuar, që është një shtresë kremi që vendoset në fytyrë. Edhe u thashë: ‘Prime kam unë’.”
Një nga momentet më gazmore, sipas saj, ishte edhe ngatërrimi i pseudonimit të konkurrentes Rafaela.
“Më e forta ishte kur kërkonin Rafaelën, që i thërrisnin ‘Fairy’. Unë sapo kisha vënë një ilaç enësh në lavaman dhe u thashë atyre se ‘Fairy-n e çova në lavaman’. Këta e kërkonin atje të çuditur, pastaj gjetën ilaçin. Kisha vështirësi në mbajtjen mend të emrave. M’u desh shumë kohë të përshtatesha. Shumë e vështirë ishte dhe po ta dija se ishte aq e vështirë, do kisha hezituar shumë të hyja.”
Ahmeti tregoi gjithashtu se produksioni kishte qenë realist që në fillim të rrugëtimit të saj në Ferma VIP.
“Kur kam hyrë ata më thanë: ‘Ne kemi qejf që të jesh deri në fund, të rezistosh në lojë, por çmim nuk të premton njeri’. Nuk më erdhi mirë, por nga një anë më vjen mirë që ishin të sinqertë. Sepse unë jam edhe Bricjap, që kur e vendos një objektiv, ia bën hyzmetin deri në fund.”
Poetja zbuloi edhe se fillimisht kishte pasur një paragjykim për moderatoren Arbana Osmani.
“Kisha pak frikë nga Arbana, gjë e cila nuk m’u realizua. Kuptova që ajo e mbajti drejtimin edhe në momentet kur unë isha skeptike për veten.”
Një tjetër temë që komentoi ishte refuzimi për të lexuar poezitë e saj gjatë natës finale të spektaklit.
“Më thanë që, për hatër të produksionit, të paktën t’i kisha lënë të lexoheshin. Por do të ishin poezi me koncepte që mund të ishin mizerabël dhe unë nuk e pranoja atë lloj koncepti. Do të ishin poezi që kapnin një aspekt për të cilin unë s’kam njohje. Pra, i dola përpara të keqes, për të mos u implikuar më tutje. Duket ndonjëherë sikur e vërteta është e tmerrshme, por ai nuk ishte rasti. Nuk ishte rasti fare.”
Në fund të intervistës, Mimoza Ahmeti bëri të ditur se në vjeshtë do të rikthehet në ekranin e Vizion Plus me një projekt të ri televiziv.



