14 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Një leksion nga Rusia, për gazetarët shqiptarë

    Nga Aranit Muraçi

    Mund të protestosh individualisht dhe protesta mund të vlejë ose të ketë efekt sa të gjitha protestat masive që mund të jenë zhvilluar në të gjithë globin, të marra së bashku.

    Protesta individuale kërkon më tepër guxim, ajo masive kërkon organizim. Më kryesorja kauza mjafton që të jetë në të dyja rastet sa më e drejtë.

    Kur kauza mungon, politikanët numërojnë protestuesit sipas “makinës së tyre llogaritëse” kurse kolegët e gazetares ruse që me heriozmin e saj në protestën individuale u bë lajm i ditës në mbarë botën, fatkeqësisht ose ‘recitojnë’ politikanët ose debatojnë siç bëjnë ata për numrat e protestës.

    Gazetarja ruse është gjobitur dhe liruar dy ditë pas ndalimit me vendim gjykate pasi protestoi e vetme kundër luftës në Ukrainë.

    Marina Ovsyannikova, një redaktore në Channel 1, televizion i kontrolluar nga shteti në Rusi, u arrestua pasi doli të hënën në studio kur po jepeshin lajmet duke mbajtur një slogan që i thoshte “jo luftës”.

    Ajo tha se ishte marrë në pyetje për 14 orë dhe nuk kishte fjetur për dy ditë, si dhe nuk iu dha mundësia as për ndihmë ligjore. U gjobit me 280 dollarë, megjithatë u deklarua e pafajshme nën akuzën e organizimit të një proteste të paautorizuar.

    Në pamjet filmike, që bënë xhiron e botës, ajo i bëri thirrje popullit rus që të protestojë kundër luftës, duke thënë se vetëm ai ka fuqinë për të “ndaluar gjithë këtë çmenduri”.

    “Mos kini frikë nga asgjë. Ata nuk mund të na burgosin të gjithëve,” tha ajo. Nuk është e qartë nëse ajo do të përballet me akuza të veçanta në lidhje me protestën e saj individuale në TV gjatë lidhjes “live”.

    Organizatat e huaja për të drejtat e njeriut kanë frikë se ajo do të ndiqet penalisht sipas një ligji të fundit penal dhe serioz, që ndalon të quhet veprimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë “pushtim” pasi kjo nga autoritetet ruse konsiderohet “përhapje” e lajme të rreme” për konfliktin.

    Pas seancës gjyqësore, Ovsyannikova u tha gazetarëve se i duhej të pushonte ca kohë, pasi i shpëtoi burgut (presioni ndërkombëtar mund të ketë pasur efektin e tij në vendimin e gjykatës) pas dy ditësh pa gjumë.

    Ajo theksoi gjithashtu se idenë e protestës e ka krijuar vetë. “Ishte vendimi im kundër luftës. E mora vetë këtë vendim, sepse nuk më pëlqen që Rusia të niste këtë pushtim. Ishte vërtet e tmerrshme,” tha ajo në anglisht, teksa doli nga gjykata.

    Protestat individuale, qoftë edhe kur janë modeste, mund të vlejnë edhe më tepër se ato më masivet, që organizohen nga politika, nëse janë të drejta. Ky ishte ndoshta leksioni i gazetares ruse për kolegët e saj, kudo në botë, përfshirë veçanarësht ata shqiptarë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit