23.5 C
Tirana
E shtunë, 10 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Një parkim sa një shtëpi, biznesi “i artë” në Tiranë

    Dorina Azo

    Parkimi i automjetit, jo vetëm është kthyer në mision të pamundur, por edhe kushton tepër shtrenjtë në Tiranë. Shpenzimet janë të larta, si për blerje vendesh parkimi të nëndheshme, por edhe për qëndrim ditor dhe mujor të mjetit.

    Çmimet për blerjen e posteve në parkim të nëndheshëm në komplekset rezidenciale nisin nga 13 mijë euro dhe arrijnë deri në 60 – 80 mijë euro.

    Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, pohon se çmimet e shitjes janë shumë të lidhura me pozicionin gjeografik dhe zhvillimin urban të zonës.

    “Në zonat periferike si Kinostudio apo afër Rrugës Bardhyl, çmimet variojnë nga 15,000 deri në 25,000 euro për një post parkimi standard në ndërtimet e reja. Në Unazën e Vogël dhe zonat pak më afër qendrës, çmimet shkojnë nga 20,000 deri në 30,000 euro.

    Ndërsa në zonat qendrore si ish-Blloku, Komuna e Parisit, Stadiumi ‘Selman Stërmasi’ dhe rruga e ‘Kosovarëve’, çmimet rriten ndjeshëm, duke arritur nga 25,000 deri në 35,000 euro, me raste të rralla që kalojnë edhe 50,000 – 80,000 euro për vende me akses të kufizuar ose në godina luksoze.

    Në ‘Astir’, ku ndërtimi është i dendur por më i ri, çmimet qëndrojnë në mesatarisht rreth 13,000 deri në 18,000 euro”.

    Në godinat e reja rezidenciale, ndërtuesit nuk ofrojnë më garazhe të mirëfillta, të mbyllura me qepen, por janë vende apo poste parkime. Duke qenë të nëndheshme nuk lejohet mbyllja e tyre, për shkak të rreziqeve nga rastet e rënies së zjarrit.

    Çmime të larta shitje për vende parkimi po ofrohen edhe në zona të tjera të kryeqytetit.

    Në objektet rezidenciale në Kashar, çmimi i shitjes së vendeve të parkimit varion nga 8,000 euro, 10,000, 12,000 deri në 15,000 euro çmimi maksimal, sipas ndërtuesit Hajredin Fratari.

    Në ndërtimet e reja që pritet të nisin prej tij në zonën e Liqenit të Thatë, çmimet e shitjes së garazheve do të ofrohen nga 25,000 euro.

    Për dy objektet e reja, sipërfaqja e banimit do të zërë 5,000 metra katror dhe për parkimet 4,300 metra katror, duke projektuar dy vende parkimi për çdo apartament.

    Çmimet e shitjes për zona të tjera

    Nga vëzhgimi i “Monitor”, çmimet e shitjes së vendeve të parkimit në zona të ndryshme të kryeqytetit nisin nga 13,000 euro në periferinë e Paskuqanit deri në 60,000 euro në ndërtimin e ri tek ish-Ekspozita.

    Në ndërtimet e reja në Paskuqan, parkimet e nëndheshme ofrohen me çmime 13,000 euro.

    Në një nga objektet e reja që po ndërtohet në rrugën e “Kokonozëve”, çmimi i shitjes për poste të nëndheshme parkimi është 20,000 euro, sipas zyrës së shitjes. Oferta është e kufizuar.

    Në Kinostudio, te kompleksi “Arlis”, sipas zyrës së shitjes, çmimi i shitjes për një vend parkimi është 25,000 euro.

    Në rezidencën OXA, në vijën e parë të ndërtimit në Bulevardin e Ri, çmimi i ofruar për një vend parkimi me sipërfaqe 40 metra katror, sipas zyrës së shitjes arrin në 35,000 euro (objekti sapo ka filluar punimet).

    Në kompleksin rezidencial “SanPaolo Bulevard”, që po ndërtohet, sipas zyrës së shitjes, çmimet variojnë nga 23,000 deri në 25,000 euro. Objekti është në vijën e dytë të ndërtimit dhe në fazën e karabinasë. Në fazën e gropës, vendet e parkimit u shitën 17,000 euro. Rritja është nga 32 deri në 35%.

    Në kulla, çmimet e parkimeve arrijnë 60 mijë euro

    Në kullën “Ekspozita Building”, që po ndërtohet në zonën e ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, çmimet e shitjes së posteve të parkimit janë 60,000 euro. Agjentët imobiliarë të agjencisë “Future Home” (agjencia që po shet poste parkimi në këtë objekt të dhëna me klering) pohuan se sipërfaqja e posteve të parkimit është rreth 43 metër katror.

    Ndërsa zyra e shitjes për “West Residence”, një objekt i ndërtuar pranë Presidencës, pohoi se shitjet kanë përfunduar, si për poste parkimi edhe për apartamente banimi. Sipas agjencive të shitblerjes së pasurive të paluajtshme, çmimet e shitjes në këtë objekt arritën deri në 60,000 euro.

    Rritja e çmimeve, e ndikuar nga kërkesa

    Për ndërtuesit, rritja e çmimeve është nxitur nga kërkesa e lartë, për shkak të shtimit të përdoruesve të autoveturave dhe mungesës së hapësirave publike.

    “Me këtë shtim të lartë të numrit të makinave në Tiranë, blerja e parkimit është e domosdoshme, pasi edhe hapësirat publike janë të kufizuara dhe nuk ke ku mund të lësh mjetin.

    Parkimet publike janë të pakta në numër, ndërsa marrja e gjobave të kushton sa dyfishi i parkimit.

    Për rrjedhojë, kërkesa për blerje parkimi është e lartë, duke sjellë edhe rritje të çmimit të shitjes, por edhe të tarifave ditore për qëndrim të mjetit”, thotë ndërtuesi Hajredin Fratari.

    Pas vitit 2022,  kërkesa për blerje të vendeve të parkimit në objektet rezidenciale në Tiranë është rritur, veçanërisht në zona ku mungesa e tyre është lartë. Interesi në rritje për blerje të vendeve të parkimit për ndërtuesit është arsyeja kryesore e shtrenjtimit të çmimeve të shitjes.

    “Në vitet 2010-2022 ka pasur një stok të madh për shitje në lidhje me parkimet, kjo si rezultat që investimet bëheshin vetëm për banim dhe blerja e një parkimi ishte një kosto thjesht e shtuar për blerësin.

    Pas këtyre viteve, kërkesa për blerje të parkimeve vazhdoi të rritet, veçanërisht në zonat me mungesë.

    Në lagje si: Komuna e Parisit dhe ish-Blloku, ku trafiku dhe fluksi ditor janë të larta, pronarët e apartamenteve kërkojnë gjithnjë e më shumë garazhe për lehtësi personale dhe për të rritur vlerën e pronës.

    Ndërkohë, investitorët kanë filluar t’i shohin vendet e parkimit si pasuri të vlefshme, për shkak të mundësisë së qirasë stabël”, pohon zoti Harizi, nga Shoqata e Ndërtuesve.

    Në Tiranë llogaritet se dy banorë zotërojnë një makinë

    Në Tiranë,  në fund të vitit 2024 kishte rreth 330 mijë makina aktive, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Rrugor.

    Për një popullsi në Bashkinë Tiranë prej 600 mijë banorë, sipas Censit të fundit të INSTAT (750 mijë për gjithë prefekturën Tiranë), rezulton se ka 500- 550 autovetura, ose një makinë për dy banorë.

    Kjo shifër është shumë më e lartë se mesatarja e vendit prej rreth 300 automjete për 1 mijë banorë (ndër më të ulëta në Europë) dhe në linjë me mesataren e Bashkimit Europian.

    Në Tiranë është përqendruar numri më i lartë i mjeteve rrugore, duke zënë rreth 35% të totalit të mjeteve rrugore që qarkullojnë në Shqipëri.

    Vetëm në vitin 2024, sipas DPSHTRR në Tiranë u regjistruan për herë të parë 41.1 mijë automjete, ose 41% e të gjitha automjeteve të regjistruara në vend (99.4 mijë gjithsej).

    Krahas mjeteve të regjistruara në Tiranë, në kryeqytet hyjnë dhe makinat e rretheve, duke rënduar trafikun çdo ditë.

    Deri në qershor të vitit 2024 në vend ishin të regjistruara 914 mijë mjete, (nga të cilat 738 mijë ishin autovetura).

    Dy vitet e fundit numri i mjeteve të regjistruara në vend është rritur ndjeshëm për shkak të importeve masive nga Koreja e Jugut, që tregton mjete me çmim ekonomik.

    Sipas DPSHTRR, në 2024-n u regjistruan për herë të parë 18.8 mijë automjete që kishin origjinën nga Koreja e Jugut, duke kaluar në shtetin më të madh importues, me 19% të totalit.

    Shqiptarët, më pak makina se europianët në raport me popullsinë

    Shqiptarët vijojnë të kenë më pak se gjysma e makinave në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian prej 570 automjetesh për 1,000 banorë.

    Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2023, në Shqipëri kishte 253 makina pasagjerësh për 1 mijë banorë, duke vijuar të renditemi të tretët, duke lënë pas Kosovën që pati 205 mjete për 1 mijë banorë dhe Turqinë me 178 makina për 1 mijë banorë.

    Në vitin 2024, ky treguesi, i rishikuar me popullsinë e re të censit dhe numrit të makinave të reja të regjistruara ka arritur në rreth 300, por sërish mbetet ndër më të ulëtit në Europë.

    Ndër vendet e rajonit me numrin më të lartë të automjeteve për 1 mijë banorë është Mali i Zi, me 393 makina, dhe Serbia, me 362 makina.

    Në vitin 2023, numri mesatar i makinave të pasagjerëve për 1000 banorë në BE ishte 570. Krahasuar me 2022, numri mesatar i makinave të pasagjerëve në vendet e BE-së është rritur 1,2%.

    Në Europë, numrin më të lartë të makinave për pasagjerë e kishte Italia, me 694 autovetura, e ndjekur nga Qipro, me 665 autovetura, Finlanda, 664 dhe Islanda, 642.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit