Ditën e djeshme, Çim Peka, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, e ka cilësuar Belind Këlliçin ‘idiot’, duke e akuzuar se po tenton të zbehë çështjen e trafikut të armëve të pretenduar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili gjatë intervistës me Çim Pekën akuzoi si të implikuar izraelitin Ron Yeffet.
‘Shpërhtimi’ i Pekës erdhi pas një reagimi për denoncimin e Ahmetajt për trafikun e armëve, ku përpos të tjerave, duke tentuar të marrë meritat dhe ndoshta të përfitojë kapital politik nga kjo çështje, Këlliçi tha se kishte kërkuar interpelancë për aktivitetin e kompanisë KAYO.
“Personalisht, kam kërkuar transparencë lidhur me këto dyshime dhe me aktivitetin e KAYO, kompania shtetërore që ka krijuar Rama por që kontrollohet nga Ron Yeffet. I kam dërguar kërkesë për informacion Ministrit të Mbrojtjes prej 5 muajsh, pa marrë asnjë herë asnjë përgjigje. Kjo heshtje konfirmon akuzën që u bë mbrëmë dhe dëshmisë që u bë publike për trafik ndërkombëtar armësh“, shkroi Këlliçi.
“Ka vetem nje menyre qe PD te tentoje te zhbeje interpelancen per trafikun e armeve te Ron Yeffet-Rama:
Te caktoje nje idiot te kerkoje interpelancen!
Nuk e besoj”, u përgjigj Peka.
“Nuk ja vlen me ti justifikosh!
Rama ka një aftësi që opozita vazhdon ta nënvlerësojë: të ndryshojë fokusin e debatit pikërisht atëherë kur një çështje bëhet e rrezikshme për pushtetin.
Sot pyetja nuk është vetëm çfarë ndodh me Ballukun. Pyetja është pse, sa herë shpërthen një çështje që kërkon vëmendje dhe hetim të thellë — si përgjimet e lidhura me Ron Yeffet — opozitës i shfaqet menjëherë një temë tjetër që konsumon të gjithë energjinë politike dhe mediatike.
Nëse SPAK përdoret apo ndikohet për të prodhuar këto zhvendosje të vëmendjes, kjo është një çështje që kërkon prova dhe transparencë, jo thjesht akuza. Por politikisht efekti është i dukshëm: opozita lë temën që kishte në dorë dhe vrapon pas asaj që i serviret atë ditë.
Dhe këtu lind pyetja më e rëndë: opozita bie vazhdimisht në këtë kurth nga naiviteti, apo segmente të saj e bëjnë me vetëdije?
Sepse është e vështirë të besohet se një opozitë mund të humbasë kaq shpesh fokusin vetëm rastësisht. Në politikë, ai që të përcakton se për çfarë do të flasësh sot, në një masë të madhe të ka përcaktuar edhe lojën”, vijon Peka. (Skaproblem.al)



