14.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Njerëzit në internet po e quajnë Oltën “bullizuese”, por mos po harrojnë ca gjëra të rëndësishme?

    Ky “BBVA” sapo ka nisur, por është bërë super i diskutuar, prej sjelljes së banorëve brenda në shtëpi. Një prej banoreve që ka marrë të gjithë peshën e urrejtjes së publikut është Olta Gixhari, e cila ndez në çdo bisedë shkëndija. Disa njerëz e quajnë “të fortë” dhe “stratege”, e disa të tjerë “bullizuese”.

    Termi i tretë, lindi gjatë dhe pas përplasjes pasivo-agresive që Olta pati me Zhaklina Gjollën, ish-konkurrenten që vendosi të lërë shtëpinë në mënyrë të papritur, pas gjendjes së rënduar psikologjike. Pas kësaj, komente të tjera, ironikisht bullizuese, shpërthyen më shumë se kurrë ndaj Oltës, duke bërë përmes rrjeteve sociale një gjyq publik.

    Është e vërtetë, Olta ka një natyrë provokative, shpeshherë edhe e tepron, ama pse po merremi të gjithë me Oltën? Nuk e shohim Kejvinën që i thotë Efit: “Kur unë shëtisja botën, ti haje fara”?; Jemi verbuar para diskriminimit dhe po e injorojmë bindshëm faktin që Herioni gjykon Ronaldon për prirjet seksuale, kur ky i fundit nuk ka dhënë asnjë deklaratë dhe për më tepër, është një çështje krejtësisht personale.

    Pse nuk flasim për ngacmimet që Luizi i shkakton Kiarës? Apo ato janë gallatë, sepse Luizi bën batuta? Pse po e injorojmë Kiarën që duket qartazi e bezdisur, por ka mjaftueshëm edukatë sa të mos reagojë keq?

    Mund të flasim për faktin që opinionistët, të cilët paguhen për të analizuar dhe bërë punën e tyre si opinionistë, bazohen nëpër komentet tuaja në Instagram dhe flasin për edukatë dhe etikë, kur e dinë shumë mirë me çfarë personazhesh dhe situatash kanë të bëjnë? A nuk ka Arbri dhe Zhaklina ndonjë argument më të qëndrueshëm se: “Nuk di se çfarë përgjigje t’i jap Oltës” dhe “Ju nuk keni edukatë”?

    Por, ne nuk jemi aq të painformuar dhe të paditur sa të mos e dimë që bullizmi ekziston dhe është mëse prezent, jo vetëm ndaj fëmijëve, por edhe ndaj të rriturve, por në raste të tilla, kur kemi të bëjmë me një eksperiment social siç është “Big Brother” jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por kudo nëpër botë, ku persona të rritur mbi 30 vjeç, të cilët janë përballur me qindra situata të ngjashme në jetë, zgjedhin të mbajnë një sjellje pasivo-agresive, të viktimizohen dhe të mos mbrojnë veten e tyre, duhet të largohen nga mendësia e “presë” dhe “viktimës”, në mënyrë që t’i dalin për zot vetes dhe parimeve të tyre. Si mund ta realizojnë? Duke folur dhe duke vendosur kufijtë e duhur, me këdo që kanë përballë, pasi qartazi, heshtja nuk është gjithnjë përgjigjja më e mirë, veçanërisht në “Big Brother”.

    Kushtet e programit janë të tilla, me situata ekstreme, karaktere të panjohura, që ashtu si Olta zgjedhin të bëjnë lojën dhe të ndjekin strategjinë e tyre, me izolim total nga rrjetet sociale dhe nga bota e jashtme, si dhe me një kohëzgjatje të atillë ku del çdo grimcë e personalitetit të vërtetë të dikujt dhe ku çdo sulm duhet të ketë një kundërsulm, në mos një reagim.

    Pra, nëse ne duam t’i hedhim gurë Oltës, le të kemi standarde të barabarta e t’ia hedhim çdo të rrituri, qoftë ai aktiv e pasiv. Le të nisim nga Zhaklina, që fare qartë tha se e la shtëpinë sepse kishte nevojë për dashuri, hapësirë personale dhe për të bërë yoga, a thua se nuk e dinte që po hynte në një shtëpi që vëzhgohet 24/7.

    Le të vijojmë me Luizin që nuk merr erë nga refuzimi; me Amosin që do të krijojë një lidhje me Dea Mishelin sa për sy e faqe; me Herionin që gjykon dikë për prirjet seksuale.

    Le ta kryqëzojmë edhe Armandon, që flet pas krahëve të Oltës e me radhë!

    Edhe të mos harrojmë se vëmendjen maksimale ua jep publiku! Nëse në atë shtëpi, Olta do të ishte një barrë kaq e rëndë, konkurrentët mund ta nominojnë dhe publiku mund ta nxjerrë nga shtëpia. I njëjti publik që ashtu siç pretendon për Oltën, e bullizon online, duke i thënë fjalë nga më të rëndat.

    Shënim: Ky artikull nuk ka si qëllim të mbrojë dhe justifikojë sjelljet e askujt. Thjesht vë në dukje standardin e dyfishtë të gjykimit, në një program ku Olta nuk është i vetmi person që përdor të tilla teknika apo të tillë nivel bisede. Nëse duam të gjykojmë, të mos përqendrohemi te një person i vetëm, por të identifikojmë të gjitha rastet e bullizmit dhe ofendimeve, qofshin ato të thëna me zë të lartë, nëpër cepat e shtëpisë, apo në internet.

    – Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga A. Shehu, redaktore kontribuese në Anabel Media.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit