12 ditë pasi mori frenat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka firmosur urdhrat e parë për organizimin dhe funksionimin e institucionit që drejton.
Nëpërmjet një mesazhi të shpërndarë në Telegram, Hita mësohet se ka kërkuar që të hiqen patrullat policore nga rrugët naconale e jo vetëm.
Referuar urdhrit të shpërndarë në rrjet, mësohet se kryepolici i ri ka marrë ankesa të shumta të qytetarëve të cilët kanë shprehur shqetësime mbi ndalimet rutinë të kryera pa një bazë të qartë ligjore apo vonesat e panevojshme që këto veprime shkaktojnë gjatë udhëtimit.
Për rrjedhojë është urdhëruar që kontrolli i mjeteve për verifikim të mos përdoret më.
Por në rastet kur për shkak të situatës, kërkohet konstatimi i shkeljeve në prezencë të drejtuesve të mjeteve, udhëzohet që të hartohet plan i qartë masash për pikat e kontrollit dhe në krye të tyre të jenë shefat e sektorëve apo seksioneve të policisë rrugore.
Mësohet se Hita ka kërkuar që prej 10 prillit të ndërpritet menjëherë praktika e ndalimit të automjeteve nga rrugorët me motivacionin “për verifikim”.



