Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në statusin e radhës në rrjete sociale, ka zbuluar sot një pjesë nga debati i zhvillua në seancën e gjyqit një javë më parë, ku Prokurori Olsi Dado e ka fyer rëndë me fjalwn “ndyrësirë” në sy të gjyqtarit Erjon Bani.
“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!
Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorrëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, thotë Veliaj.
Më poshtë debati i zbardhur nga Veliaj:
OLS DADO: Ndyrësirë! S’ke turp që thua, tregon banesën e prokurorit këtu, ç’a është ky, kërcënim është ky? Është kërcënim ky që tregon banesën e prokurorit?
ERION VELIAJ: Asnjë kërcënim.
ERJON BANI: Prokuror, ulu!
OLS DADO: A? Ç’a është ky? Kërcënim është ky?
ERION VELIAJ: Unë besoj është konflikt interesi. Prokurori mendon që edhe kjo sjellje është normale, por kjo s’është normale.
OLS DADO: E kam mesazhin këtu.
ERION VELIAJ: Por, kam të drejtë të them që s’është normale.
ERJON BANI: Prokuror!
Gjykata e mohon
Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion ka reaguar pas publikimit nga kryebashkiaku, Erion Veliaj i transkriptimit të replikave gjatë seancës gjyqësore të 12 Shkurtit ku iu caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
GJKKO thekson se transkripti i publikuar nga ana e Erion Veliaj në rrjetin e tij social në “Facebook” nuk është i vërtetë.
Sipas GJKKO-së, nga verifikimi në sistemin audio të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të kryebashkiakut të Tiranës, si edhe procesverbali i seancës gjyqësore.
Reagimi i GJKKO:
Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.
Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment.



