spot_img
spot_img

Orë dore 300 mijë euro, katër celularë iPhone dhe çantë me euro, çfarë iu sekuestrua Ergys Agasit në momentin e arrestimit

spot_img

Një orë dore “Richard Mille”, 4 telefona iPhone, karta bankare dhe një çantë me shuma të konsiderueshme eurosh iu sekuestruan Ergys Agasit në momentin e arrestimit, teksa ndodhej në makinë me Uljan Shpatarakun.

Vetëm ora kushton rreth 300 mijë euro sipas faqes zyrtare të prodhuesit të saj.

Sipas procesverbalit, në çantën e Agasit u gjetën edhe kartëmonedha të prerjeve 200, 50 dhe 20 euro, disa karta bankare të institucioneve financiare vendase dhe të huaja, si dhe leja e drejtimit.

Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën gjithashtu çelësa metalikë, një kontratë qiraje automjeti dhe dokumente të tjera.

Shpatarakut iu sekuestruan 400 euro, 4.200 lekë, një portofol “Alviero Martini” dhe një çantë “Hermes”, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij nuk u gjetën sende të kundërligjshme.

Kur është marrë në pyetje, Shpataraku ka pretenduar se nuk e njihte Agasin dhe se e ka takuar rastësisht në rrugën e vjetër të Elbasanit. Madje Shpataraku pretendon se Agasi i ka bërë shenjë (autostop) dhe kur ka hipur në makinë i prezantuar me emrin ‘Berti’.

Lajmet e fundit