14.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    “Pengu”, Shkëlqimi dhe rënia e Saimir Tahirit: A do flasë ish-ministri i Brendshëm?

    Nga emisioni Vetting: 

    Kur Saimir Tahiri ra nga pjedestali ku e kishte ngjitur shefi i tij i cili e quante ministër kampion, do të kthehej si qytetar i thjeshtë për tu ndeshur dyerve të gjykatave, me bij nënash që vuanin dramën e padrejtësisë. Gjeti atje dramën e papunësisë, varfërisë, korrupsionit e gjithçka tjetër që kishte shkaktuar, sipas tij, qeverisja 30 vjeçare e elitës që ai i quan bastarde. Brenda kësaj elite akuzon edhe qeverinë ku vetë kishte qenë pjesë.

    Kishte qenë ministër i brendshëm për gati katër vite deri më 11 mars 2017 kur u shkarkua për shkak të akuzave për lidhje me një grup të strukturuar kriminal. Tahiri do të deklaronte se nuk e kishte njohur realitetin shqiptar, atë që vuajnë çdo ditë njerëz të zakonshëm të këtij vendi.

    E njohu realitetin kur iu desh të kalonte orë të tëra dyerve të drejtësisë në kërkim të të vërtetës së tij, pasi do të akuzohej si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

    Prokuroria e krimeve të rënda nisi hetimet për ish-ministrin e brendshëm bazuar mbi përgjimet e drejtësisë italiane, ku evidentohej se ministri i brendshëm kishte lidhje me grupin e Habilajve, për të cilët drejtësia italiane kishte nisur hetimet prej kohësh për  trafik droge.

    Bazuar mbi këto përgjime, Prokuroria e krimeve të rënda kërkoi heqjen e imunitetit të Tahirit dhe arrestimin e tij. Në këtë situatë, Rama do të deklaronte në publik se nuk mund ta dorëzonte ministrin e brendshëm duke argumentuar se akuza mund të ishte false dhe se historia po përsëritej si me arrestimin e ish-kryetarit socialist Fatos Nano.

    Më 21 tetor 2017 Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit refuzoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, duke pranuar vetëm kërkesën për kontrollin e banesës dhe heqjen e pasaportës për ti penguar Tahirit, daljen jashtë Shqipërisë.

    Por kryeministri Rama do të deklaronte largimin e Tahirit nga  Partia socialiste derisa ai të vërtetonte pafajësinë e tij e deri atëherë Ramën do ta mundonte së tepërmi pyetja:

    Më 3 maj 2018, Saimir Tahiri do të jepte dorëheqje edhe nga mandati i deputetit për të nisur rrugën drejt së vërtetës së tij.

    Prej këtij momenti do të niste një histori e re në komunikimin publik ndërmjet Tahirit dhe Ramës. Kampioni nuk ishte më i tillë.Kryeministri Rama ishte në provën e vështirë për ta dorëzuar para drejtësisë apo për ta mbrojtur, sepse kishte qenë ndër njerëzit e tij më të besuar.

    Më 12 Maj 2018Prokuroaria e Kirmeve të Rënda i kërkoi gjykatës arrestimin e Saimir Tahirit me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, grupit të strukturuar kriminal dhe veprimeve të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtarja Liljana Baku që pranoi pjesërisht kërkesën duke caktuar masën arrest shtëpie. Më 18 maj 2018, Apeli i krimeve të rënda hoqi masën e arrestit shtëpiak dhe Tahiri do të hetohej në gjendje të lirë.

    Me gjuhën që dikur kishte përdorur Rama me kundërshtarë, Tahiri dha sinjale në media përmes disa mesazheve  që media dhe publiku i konsideroi kërcënim ndaj drejtuesve të mazhorancës.

    Rama do ti përgjigjej në një prej daljeve publike duke theksuar fort se kurrë nuk kishte marrë favore në këmbim të mbështetjes së pakursyer për Saimir Tahirin.

    Mesa dukej, rrugët e Tahirit dhe Ramës ishin ndarë dhe gjithaq, Tahiri do të kishte një tjetër rrugë me atë të miqve e bashkëpunëtorëve në Partinë Socialiste. Shumë prej tyre ndoshta u lënduan për fatin e ministrit të suksesshëm por siç do të deklaronte Tahiri, shumë prej tyre ishin gëzuar.

    Por cilët ishin këta emra për të cilët fliste ministri i shkarkuar?

    Çfarë e bënte kaq të sigurt për miqtë dhe armiqtë Saimir Tahirin? Megjithatë, ministri i akuzuar do të mohonte çdo presion ndaj kujtdo, duke theksuar se mesazhet e tij nuk ishin kërcënim për bashkëpunëtorët e tij në qeveri apo PS.

    Pas katër vitesh ecejake nëpër dyert e gjykatave, për Saimir Tahirin ka tashmë një vendim final. Ai është dënuar nga GJKKO me 3 vjet e katër muaj burg për akuzën e “Shpërdorim detyre”.

    Tahiri është dënuar për shpërdorim detyre. Ish-ministri i brendshëm i ka shpëtuar kështu akuzave për  “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

    Megjithatë në argumentimet e vendimit që Apeli i GJKKO-së,  theksohet se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilajn dhe Artan Habilajn dhe se këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të Policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës në vendin tonë.

    Ish-prokurori Eugen Beci e komenton kështu vendimin e gjykatës ndaj ministrit Tahiri.

    Sidoqoftë, Tahiri është tashmë në burg. Teorikisht ai ka mundësi të flasë për çfarë di por çfarë e pengon një rrëfim të mundshëm të ish-ministrit Brenda hekurave të burgut.

    Sa e mundur është që Tahiri të marrë statusin e të penduarit?

    Gazetari Artan Hoxha e konsideron vendimin për burgosjen e ish-ministrit të brendshëm, si trofeun e vetëm të reformës në drejtësi. Ndërsa perceptimi për shumë të tjerë është se Saimir Tahiri u bë kurban për qeverinë.

    Refuzon të quhet kurban por njeri i lirë edhe brenda hekurave. Beson se e vërteta e tij është një tjetër jo ajo që tha drejtësia. Por a do flasë Saimir Tahiri për të treguar jo vetëm të vërtetën e tij lidhur me akuzat për kanabizimin e  Shqipërisë?

    A ka diçka për të thënë Saimir Tahiri për të vërtetën e elitës së korruptuar; për të vërtetën e votës së vjedhur, shitur e blerë; për të vërtetën e Shqipërisë si një ndër vendet më të korruptuara në botë e ku zyrtarët e dënuar numërohen me gishtat e dorës. Do të shohim në vazhdimësi a është i penduar Saimir Tahiri për fjalët që tha e nuk tha përgjatë 5 viteve që ishte nën hetim.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit