14.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Për Benetin, Shkodrën dhe të tjerët

    Shkodra, me 14 maj, bëri përmbysjen e madhe. Edhe për më optimistin nga ata që dëshironin fitoren e së majtës në Shkodër, përmes figurës së Benet Becit, nuk mund të kishin menduar kurrë një përmbysje të tillë.

    Nëse do të kishte pasur një veçori mbi gjithë të tjerat kjo do të ndodhte pikërisht në Shkodër.

    E murosur si bastion i një krahu politik, që në fakt nuk kishte bërë asgjë për të, e përkëdhelur se vetëm ju jeni e vërteta e së djathtës, e për më shumë nën flamurin e rreckosur të Ilir Metës, e nanurisur në gjumin e saj të pa vlefshëm për asnjë rritje, Shkodra ishte siguria e opozitës se gjërat nuk ndryshojnë, edhe kur gurët nuk lëvizin nga vendi.

    Mirëpo, ajo që ndodhi do të mbahet mend gjatë.

    Benet Beci, përfaqësues i Partisë Socialiste, përmes një fushate model dhe vizioni marramendës, fitoi në kryebashkinë e Veriut me rreth 12 mijë vota diferencë ndaj kundërshtarit të tij, bardh Spahia.

    Historia nganjëherë ka në vete ironinë e saj: pushteti pluralist dhe sundimi i së djathtës në Shkodër filloi me Ali Spahinë, babain e kandidatit të së djathtës dhe kësaj here kishte një fund me të birin.

    Nëse e djathta mbushet në mend, ajo do të rikthehet një ditë në qeverisjen e pushtetit vendor; nëse ajo e sheh të keqen jashtë saj, atëherë Benet Beci do të rrijë në pushtet deri sa të dëshirojë vetë të largohet.

    Kush nuk mëson nga fajet e tij politike, nuk ka të drejtë të qeverisë.

    Përse është e rëndësishme fitorja e Benet Becit në Shkodër. Ka disa arsye themelore.

    Që prej ditës që filloi të bëhej pyetja se kush do të qeverisë Shkodrën në vitet e ardshhme, opozita ngriti vetëm një tabu: Shkodra nuk është si gjithë Shqipëria. Nuk ndryshon. Ne jemi ndryshe. Ne jemi antikomunistë. Këtë frymë e futi më tej Foltorja, dhe shefi i saj e bëri me qëllimin e vjetër të ndarjes dhe ngulfatjes së ideve.

    Mirëpo ja që, në momentin e duhur, në çastin e duhur, Shkodra bëri ndryshimin e madh.

    Fitoi nacionalja mbi lokalen. Shkodra nuk ishte ndryshe nga gjithë Shqipëria. Shkodra ishte Shqipëria. Me mençurinë, ngutjet, mendimet, hatërmbetjet, dëshirat, synimet dhe ngurrimet e saj. Ishte dhe mbetet pjesë themeltare e kombit. Nuk kishte qenë jashtë kombit, si synohej që në kohrat e herëshme. Ishte mendja e duhur.

    Fitoi ndryshimi ndaj mbylljes! Fitoi e ardhmja ndaj së djeshmes! Fitoi mendimi ndaj ndryshkut politik! Fitoi vizioni i ri ndaj botës së plakur! Mos e kërkoni askund tjetër shkakun e fitores.

    *****

    Votimet në Shkodër dëshmuan se nuk mund të ketë bastione politike, por ndjenja dhe mendim qytetar. Të tallesh me “ bastionin”, kur e ke shkelmuar atë, nuk është shansi i fitores, por i humbjes së paralajmëruar.

    Opozita e shihte Shkodrën bastion dhe nuk qeverisi. Ajo sundoi. Përmes dhunës politike, jo përmes mendjes qytetare. Mes enigmës, vazhdimit të dhunës politike apo mendjes qytetare, shkodranët zgjodhën mendjen. Historikisht kanë qenë më pranë mendjes.

    Por, edhe brenda bastionit nuk ka mimi bastione.

    Një fakt domethënës. Numërimi i votave në Shkodër filloi nga zona e Postribës. E nohur si zonë e djathtë brenda së djathtës. Zonë që ka njohur fillimin e lëvizjes partizane, por edhe e njohur më shumë si vendi ku nisi ajo që quhet Kryengritja e Postribës, drejtuar nga Jup Kazazi. E persekutuar, brenda një qarku të përsekutuar.

    Kutia e parë që u hap ishte nga kjo zonë. Ndoshta rastësisht, ndoshta për të treguar trendin. E papritura ishte domethënëse, ajo fliste me rreth 60 vota më shumë për Benet Becin. Institucioni i “bastionit politik” kishte rënë. Që këtu filloi humbja.

    Thuajse të gjitha kutitë e votimit, në të gjithë bashkinë, nga Dukagjini e deri në bregdet, në lagjet e Shkodrës dhe në rrethinat e saj, dëshmonin përparësinë e Benet Becit. Pra, nuk ishte ndarje zonale, bastionesh brenda bastionit, ishte zgjedhe plebishitare, që flet më shumë se shumë gjëra të tjera.

    Është edhe mësim për politikën. Në bashki, më shumë se sa njerëz të marrosur pas politikës, duhen drejtues që e menazhojnë politikën, për të gjetur rrugën e zhvillimit të bashkisë.

    Benet Beci është një prej tyre, që u mirë prit nga qytetarët e Shkodrës. Nuk trazoi askënd, nuk solli në skenën e politikës fjalë të mëdha dhe përbetime, nuk riktheu vendin në vitin 1991 apo një vit më pas, por, thjeshtësisht u përqëndrua te njerëzit, për të bërë të qartë vizionin e tij për Shkodrën.

    Pasionet politike heshtën. Mëria politike kaloi në anën e padukshme. Furia e përplasjes u fashit.

    Në natën e së dielës dhe mengjezin e ditës së hënë, dhjetra, ndoshta qindra miq të mi, nga Shqipëria përtej Drinit, më shkruanin dhe më pyetnin si venë votimet në Shkodër. Nga Kaçaniku, Dibra, Ferizaj, Prishtina, Gostivari, Tetova, Shkupi.., gjithnjë me dëshirën e ndryshimit.

    E ka një shkak i gjithë ky interesim. Shkodra është vendi i dashur i shqiptarëve, që në 30 vitet e fundit kishte mbetur në hijen e  së kaluarës së saj të lavdishme. Njerëzit e duan Shkodrën, ashtu si kanë mësuar për të. Ngado që janë, Shkodra i ndjell përceptimin e kulturës, të dijes, fjalës së qetë dhe punës së bukur.

    Fitorja e Benet Becit është sinjal për qeverinë. Nëse ajo, qeveria, e sheh punën të mbaruar, kur ajo tani fillon, gjithçka i kthehet pas. Nëse haron se duhet të bëjë për Shkodrën, çka qyteti meriton, nuk është e largët koha kur qyteti ngurtësohet përsëri.

    Është shansi i madh, deri tani, i vetëm, për të bërë të pamundurën, çka të tjerët nuk e bënë.

    Koha është e tillë. Ngurrimi do të sjell zhgënjimin. Askush nuk e meriton këtë.

    Opozita në Shkodër, edhe ajo pjesë e rëndësishme që  votoi Benet Becin, duhet të jetë pjesë gjenerike e zhvillimit të qytetit, të rrethinave, bregdetit, malësisë. Jam i bindur se do të ndodhë kështu.

    Dhe nuk duhet të harrojë se:

    Shkodra solli mesazhin se eshte koha të largohen paçavrat që kane zenë myk ne hauret e historise!

    Kaq ishte!

    E nesërmja do të thotë shpresë dhe besim. Lidhur me emrin e Benet Becit dhe të Partisë Socialiste.(Bedri Islami)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit