17.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Përse socialistët janë kaq bythëpambukë?

    Nga Bedri Islami

    Prej disa ditësh po flitet dhe po zhvillohen negociata të fshehta mes shumicës qeverisëse dhe grupit të Foltores, të drejtuar nga Berisha. Si duket, edhe pjesëmarrja e krye bashkiakëve të pesë bashkive të fituara nga e djathta , ka qenë pjesë e kësaj fshehtësie që po zhvillohet në atë pjesë të errtë të politikës shqiptare.

    Gjithnjë ka ndodhur e njëjta gjë: socialistët në pushtet, sa herë që opozita ka kërcënuar dhe ka bërë prapësitë e zakonshme të saj, të cilat jo pak herë kanë qenë krime të mëdha, me pasoja për jetën e vendit dhe zhvillimin e demokracisë, është zbythur, ka filluar bisedimet në terrin e politikës dhe ka bërë marrëveshje që kanë dëshmuar jo shumë kohë më vonë se kanë qenë të turpshme dhe të dëmshme për shteti8n, lirinë dhe të drejtat e njeriut, perspektivën dhe prosperitetin e këtij vendi.

    Nëse ata do të dëshmonin sinqerisht se në rrallë të parë donin vendin e tyre se sa disa poste, përmes të cilëve do të pasuroheshin marra mendshëm shpejt, gjërat do të ishin ndryshme, përballë njëra tjetrës do të kishim dy forca politike të arsyeshme, të cilat do të kontrollonin njëra tjetrën, duke krijuar atë domosdoshmëri politike, e cila të lejon të kontrollosh qeverisjen, por të japësh llogari dhe të dënohesh kur kalon në opozitë.

    Pikërisht marrëveshjet e turpshme, tejet të turpshme kanë bërë që qeveritarët, kur ndërrohet pushteti, nuk kanë asnjë gjemb në këmbë, përkundrazi , jetojnë të qetë dhe presin poste e shpërblime nga fitimtarët e rinj.

    Ajo që ka ndodhur në 34 vite me politikën shqiptare ka qenë fatale, dhe, njëra nga arsyet kryesore ka qenë e mbetet mos ndëshkimi, falja e së keqes, amnistimi i krimit politik e jetësor, lejimi i së keqes të rritet në përmasa gjeometrike dhe e keqja të ketë të drejtën e qytetarisë.

    Ky kryeministra socialistë, i nderi Bashkim Fino dhe Pandeli Majko janë mburrur në parlamentin e Shqipërisë, duke iu drejtuar shefit të opozitës, Berisha, se ka qenë pikërisht roli i tyre që ai sot nuk është i arrestuar duke vuajtur dënimin përkatës.

    Përmes zbythjes së tyre janë amnistuar krime të mëdha politike e qytetare, që kanë pasur si pasojë qindra e mijëra jetë njerëzore të humbura, ndërsa liderët e opozitës, që nga Berisha e deri tek i ndjeri Gazidede apo Agim Shehu të kenë jetuar në paqe me veten dhe me familjen e tyre, dhe, kur opozita ka ardhur në pushtet, ata janë rikthyer në detyra të ndryshme.

    Që nga djegiet dhe shkatërrimet e vitit 1991, si parafjala e asaj që do të ndodhte dhe fytyra e parë e opozitës që po vinte, kanë ndodhur aq shumë ngjarje marramendëse, sa që është e vështirë të ketë ndodhur diku tjetër. Askush nuk u ndëshkua, askush nuk u hetua, asnjëri nuk mbajti përgjegjësi, të gjitha u falën nga një pakicë e së majtës në pushtet, që shumë herë nuk kishin asgjë të përbashkët me të majtën progresive. Disa prej tyre ishin hajdutë të rëndomtë, që, pasi e volën pushtetin socialist, as nuk u kujtuan më për të dhe bindjet e tyre.

    Marsi i vitit 1997 është një nga ngjarjet më mizore që kanë ndodhur në pas komunizëm, por që, nga numri i të vrarëve që solli pas vetes është ndoshta i njëjtë me të zhdukurit, të vrarët dhe të linçuarit e 50 viteve. Një sistem i tërë i pushtetit solli krimin dhe vrasjen, solli shkatërrimin dhe linçimin e shtetit dhe të jetës së qytetarëve. Një njeri në presidencë dha urdhër të bombardohen zonat e jugut, si dëshirë e mbajtjes së pushtetit edhe përmes krimit. E majta që po vinte në pushtet shpalli amnisti. Për kë? Për çfarë? Mbi cilën të drejtë? Dëshira e ethshme për të ardhur në pushtet solli precedentin e madh dhe të rrezikshëm të mos ndëshkimit të krimit.

    Nëse nuk do të kishte ndodhur kështu, gjërat do të ishin ndryshe dhe ky vend nuk do të ishte kështu si është. Cila e drejtë ligjore i lejon pushtetarët të mos ndëshkojnë krimin?

    Më herët kishin ndodhur krime të tjera: shitja e armëve te serbët e Bosnjës, dhe ata ishin armë moderne. Jo më kot ish ministri i Mbrojtjes, Zhulali deklaronte se Shqipëria ka armë për t’i shitur gjysmës së Evropës, por i shiti në vendet ku kishte konflikte etnike dhe grupimeve nacionaliste serbe, që vranë dhe prenë pikërisht me armët shqiptare. Kush u dënua? Askush”! Përse: sepse socialistët në pushtet nuk kanë këllqe për të ndëshkuar krimin.

    Ndodhi kontrabanda e madhe e karburanteve përmes firmës “ Shqiponja” të PD-së? Thyerja e embargos ndaj mbetjes jugosllave. Me fitimet kolosale u financuan grupet terroriste që vepronin nën kontrollin e pushtetit. U mobilizuan vandalë veriorë për të luftuar “ komunistët” jugorë. Kush u dënua? Askush! Sepse e majta, kur vjen në pushtet, harron të djeshmen. Jo për të ndërtuar të ardhmen, por për të asfiksuar të drejtën.

    Nëse do të kishte ndëshkimin e duhur nuk do të ndodhte 14 shtatori i vitit 1998, grushti i dështuar i shtetit i Sali Berishës. Është akti më anti kombëtar që ka ndodhur në 34 vite. Thika në kurrizin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lirisë së saj. Socialistët , me në krye shefin e qeverisë, braktisën godinat qeveritare. Vandalët pushtuan institucionet. Opozita në RTSH bërtiti se qeveria ra. Tanket në duar e militantëve të opozitës. Kush u dënua? Askush? E majta ishte ende e trembur nga hijet e armëve të rënda. Nëse grushti i shtetit do të kishte pasur suksesin e atyre që donin të shkatërronin të ardhmen, Kosova sot do të ishte ende nën pushtimin serb.

    Tani opozita është në mosbindjen e saj civile. Është e qartë: kush nuk ka bindje, ka mosbindje.

    Çfarë bëjnë: rrëmujë në parlament, zhurmë, karrige të hedhura në sallën e parlamentit, tymuese, seanca të bllokuara, grushte, miell në fytyrat e gardistëve, thirrje halucionante, protesta në rrugicën e vogël të Foltores, zhurmë, demonstrim force në bulevard. Po kjo ndodh në të gjitha parlamentet e botës. Diku më shumë, diku më pak. Në Shtetet e Bashkuara tri vite më parë u provua  një skemë e ngjashme rebelimi, por shumë prej tyre gjenden pas hekurave.

    Do të rrëzohet shteti nga britmat grarishte të Gazmend Bardhit? Nga strukturat e armatosura që ngriti ai , gjoja për mbrojtjen e votës? Do të bjerë shteti nga thirrjet delirante të Berishës, që këto ditë e ka ulur paksa tonin? Po nëse një ditë të nesërme , një opozitë e ardhshme, do të bëjë të njëjtat gjëra, përsëri do të bjerë shteti?

    E majta në pushtet, ose nesër kushdo qoftë në pushtet, duhet të dijë të vërtetën se shteti ngrihet mbi bazën e së drejtës, jo mbi dhunën. Duhet të dijë se e vërteta mbrohet përmes ligjit, jo përmes kompromisit.

    Duhet të dijë se nga kompromisi i pa paritme vjen e keqja e së nesërmes. Se shteti nuk është pronë e tyre dhe ata nuk mund të tallen me të ardhmen e vendit, për të siguruar pak ditë qetësi dhe pazare.

    Drejtuesi i Foltores , Berisha , është i shpallur i padëshirueshëm për shtetet anglo – saksone, që në fund të fundit janë depërtuesit më të fuqishëm të lirisë në Shqipëri.

    Në fakt, nëse socialistët do të ishin të bindur në drejtësinë dhe vitalitetin e tyre, dobinë e kombit dhe perspektiv e tij, kjo do të ishte realizuar nga vetë ato që në marsin e vitit 1999, kur vendi, pas shkatërrimit financiar, shkoi në pragun e luftës civile.

    Mendoni se si do të ishte Shqipëria e tanishme, nëse e djeshmja do të ishte e njerëzve të guximshëm.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit