spot_img
spot_img

“Po bëni tradhëti” – Ardit Bido nxjerr videon e kreut të MEGA-s greke që bën thirrje për mbështetjen e protestave

spot_img

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka publikuar një video ku shfaqet Lefter Nika, kryetar i MEGA-s (partisë së minoritetit grek), i cili bën thirrje për të mbështetur protestat që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri.

“Gjendem këtu për të mbështetur këtë protestë. Sot dua të sensibilizoj të gjithë popullin dhe minoritetin etnik grek, për të cilën jam edhe kryetar i partisë së minoritetit, që të bashkohemi me këtë ndjenjë paqësore, civilizuese për të ndryshuar dhe për të nxjerrë në pah atë pastërtinë që ka populli me ato vlerat e tyre dhe të kontribuojmë të gjithë që këto 3 rryma që krijohen në Tiranë, Sarandë dhe Shkodër…”, thotë mes të tjerash Lefter Nika në video.

Krahas videos, Bido ka shkruar se thirrjet e Lefter Nikës për mbështetjen e protestave erdhën pasi sipas deputetit socialist, ai ka bërë paradë me ‘bezen e Spiromilos që ka vrarë mbi 10 mijë shqiptarë, ka djegur dhjetra fshatra shqiptare dhe ka dëbuar 1/3 e shqiptarëve të Jugut nga shtëpitë e tyre’.

Në përfundim Bido duke iu drejtuar protestuesve ka shkruar se sa të kenë personazhe të tillë në krah, deputeti socialist do të jetë kundër tyre.

“Dëgjojini vorioepirotistët: Lefter Nika, i MEGA-s, pasi bën paradë me bezen e Spiromilos që ka vrarë mbi 10 mijë shqiptarë, ka djegur dhjetra fshatra shqiptare dhe ka dëbuar 1/3 e shqiptarëve të Jugut nga shtëpitë e tyre, del dhe bën thirrje për të përkrahur protestat. Akoma s’po e kuptoni?! Sa keni këta në krah, jo thjesht më keni KUNDËR, por po bëni tradhëti!”, ka shkruar Bido krahas videos së postuar në rrjetet sociale.

Lajmet e fundit