22.5 C
Tirana
E hënë, 6 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, finalizon memorandumin e bashkëpunimit me Fakultetin e Ekonomisë

    Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, vizitoi Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ku u takua me Dekanin, Prof. Dr. Dhori Kule, akademikë dhe studentë për të forcuar urat e bashkëpunimit. Gjatë vizitës në ambientet e këtij institucioni, Samir Mane shprehu vlerësim për punën e stafit akademik dhe nivelin e studentëve. Takimi u finalizua me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit midis Grupit BALFIN dhe Fakultetit të Ekonomisë.

    Studentë dhe profesorë ishin të pranishëm në takimin e zhvilluar për t’u njohur më nga afër mbi mundësitë që Grupi BALFIN ofron për të mbështetur universitetet dhe studentët. “Sot studentët përballen me sfida në nivel rajonal e më gjerë por njëkohësisht edhe mundësitë që u jepen bëhen përherë e më mëdha. Si përfaqësues i disa kompanive që kryesojnë tregjet ku veprojnë, i këshilloj të mos heqin dorë nga planet e tyre dhe të synojnë përherë e më lart. Grupi BALFIN e ka parësor edukimin në përgjegjshmërinë e vet sociale dhe është i hapur për të realizuar nisma të përbashkëta me studentë dhe pedagogë,” tha Samir Mane.

    Prof. Dr. Dhori Kule shprehu vlerësim për Grupin BALFIN duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet universitetit dhe biznesit në disa fusha të tilla si realizimi i praktikave profesionale, mbështetja me infrastrukturë, realizimi i studimeve dhe kërkimeve shkencore me interes të përbashkët, sjellja e eksperiencës dhe ekspertizës së biznesit nëpërmjet angazimit të drejtuesve dhe specialistëve të Grupit BALFIN nëpëmjet seminareve dhe takimeve të ndryshme.

    Dy drejtuesit e formalizuan vullentin e mirë për bashkëpunim edhe me nje memorandum, i cili rendit fushat ku mund të jepet kontribut i përbashkët.

    Samir Mane veçoi B4Students si një projekt të Grupit BALFIN, dedikuar edukimit në Shqipëri. Studentët e Fakultetit Ekonomik dhe të çdo fakulteti tjetër mund të bëhen pjesë e këtij program me ide që dëshirojnë t’i vënë në zbatim, mundësi praktike profesionale dhe punësimi.

    Të diplomuarit nga Fakulteti Ekonomik përbëjnë një nga kategoritë më të mëdha të punonjësve në kompanitë e Grupit BALFIN dhe ky fakt ilustron konkretisht rëndësinë e harmonizimit të përgatitjes universitare me synim integrimin sa më natyral në tregun e punës.

    Balkan Finance Investment Group, BALFIN Group, është një nga grupet investuese më të rëndësishme dhe më të suksesshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Grupi BALFIN u themelua në vitin 1993 në Vjenë nga Samir Mane dhe është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Zvicër, Malin e Zi dhe Holandë. Grupi ka mbi 5.500 punonjës dhe është i pranishëm në disa industri si menaxhimin e pasurive të paluajtshme, shitjet me pakicë, industrinë minerare, sistemin bankar, turizmin, teknologjinë, median, logjistikën etj.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit