Nga Mentor Kikia
-Më agresive!
-Më e paktë në numër!
-Më përjashtuese!
-Më e varfër në përmbajtje!
-Më e varfër në simbolikë dhe meme pikante!
Ka disa gjëra që duhen ditur:
-Qeveria nuk ka frikë nga protestat e dhunshme.
Përkundrazi, atë dëshiron, që të ketë një arsye më shumë për ta sulmuar. I ka provuar PD-ja edhe me zjarr, edhe me gurë. ZERO rezultat. Qeverinë e trembin gratë me karrocat e bebeve dhe fëmijët që pikturojnë në shesh. E tremb ironia dhe tallja publike, delegjitimimi publik, edhe ndërkombëtar.
-Tendenca për të përjashtuar çdo individ politik apo drejtues të partive politike, të vogla apo të mëdha, është vetëvrasje për protestën.
Nuk e di nëse qeveria ka infiltruar njerëzit e saj dhe tashmë ata kanë marrë drejtimin e turmës, duke e udhëhequr drejt një rruge ku nuk ka dalje, apo “grupi i koordinatorëve” vërtet është në delir dhe mendon se mund të bëjë një parti të re, e cila mund të marrë pushtetin dhe të bëjë revolucionin e ëndërruar.
E kam thënë që në fillim: Protesta nuk ka mendim politik, edhe pse kërkesat e saj janë thellësisht politike.
Frika se mos i marrin autorësinë, bëri që “tribuna” dhe mikrofoni, të mos hapej për intelektualë që mund të kishin kurajën të ngrinin kokën, duke ia rritur peshën lëvizjes.
E vetmja mundësi që kanë të rinjtë protestues, për të pastruar politikën, nuk është të pastrojnë protestën nga politika, por të ndikojnë për të realizuar një reformë të thellë zgjedhore, për ti kthyer shqiptarëve “armën” e VOTËS së LIRË, pastaj është vota që e bën pastrimin.
Nëse nuk kanë të qartë objektivat politikë, “koordinatorët” do të kishin bërë mirë të negocionin kërkesa konkrete si: Shfuqizimi i ligjit për Zona e Mbrojtura, apo ligjit për Investimet Strategjike, i cili vetëm dy ditë më parë e dhuroi një copë Shqipërie një biznesmeni të klanit qeveritar.
Nëse vazhdohet kështu, besoj se qeveria pushimet e gushtit do ti kalojë e qetë!



