Mazhoranca ka hedhur në diskutim disa opsione për paketën e sanksioneve të paralajmëruar sot nga kryeministri Edi Rama për protestuesit që ndërmarrin akte dhune në protestat që kanë përfshirë vendin prej një jave.
Burime për Report Tv zbuluan një prej propozimeve që po shqyrtohet nga mazhoranca, i cili parashikon përfshirjen e personave të identifikuar si autorë të akteve të dhunës në një ‘listë të zezë’ në sistemin TIMS, me synimin që t’u ndalohet hyrja në vendet e Bashkimit Europian.
Ky është një prej opsioneve që po diskutohen, ndërsa më herët kryeministri Edi Rama foli për masa të tjera të ashpra kundrejt protestuesve të dhunshëm, si edhe familje të të miturve që kryejnë kate dhune në protestë. Rama deklaroi se prindërit do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre gjatë protestave.
Ndërsa studentëve që ushtrojnë dhunë ndaj efektivëve u paralajmëroi heqjen e arsimit falas, bursave dhe çdo mbështetjeje financiare nga shteti. Edhe mësuesit që nxisin nxënësit të kryejnë akte dhune rrezikojnë përjashtimin nga puna.



