Në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të PS-së, në qarqet e vendit ka nisur një lloj fushate ku dekorohen figura të rëndësishme të kësaj partie. Në letër duhet të dekorohen figura me peshë, figura historike që i kanë dhënë shumë partisë.
Por po dekorohen personazhe që janë të lidhur drejtpërdrejt ose familjarisht me krimin.
Pardje bëri bujë dekorimi i Bardhyl Agasit në Durrës. Ai vërtet mund të ketë kontribut të madh në PS, por dekorimi bëri bujë sepse ai është babai i Ergys Agasit. Ky i fundit po kërkohet nga SPAK për grup kriminal, rrëmbime dhe vepra të tjera penale.
Situata bëhet akoma edhe më e habitshme, pasi një ceremoni e ngjashme është bërë në Shijak, ku është dekoruar ish-deputeti i PS-së, Jurgis Çyrbja. Ky i fundit sapo ka dalë nga burgu. Ai u arrestua për nxjerrje sekretesh dhe lidhje me krimin.
Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se ish-deputeti Çyrbja ka pasur lidhje me të kërkuarin ndërkombëtar të drejtësisë, Altin Hajrin.
Në fund të shkurtit ai u lirua, por si duket për PS-në e sotme të z.Rama ka vlera të shquara.



