spot_img
spot_img

Pse ‘çmendet’ Egli në dashuri? Astrologët shpjegojnë

spot_img

Nuk të duhet as ta ndjekësh ‘Big Brother’-in për ta ditur që ka një person që fjalë për fjalë lë kokën pas një tjetri aty brenda, aq e qartë është kjo dashuria (obsesive & posesive) e Eglit për Gjestin.

Nëse po vrisje mendjen dhe ti si ne se çfarë e bën këtë vajzë të bëjë gjithë veprimet që bën, ose gjen nga pak veten në absurditetin e përndjekjes që ajo po i bën personit që pëlqen, shpjegimin e mënyrës se si ajo dashuron e jep pikërisht grafiku astrologjik i Eglit.

Shenja e Eglit: Virgjëresha (15 shtator 1997)

Shenja e Hënës: Peshqit

Shenja e Hënës përfaqëson anën emocionale, ndjenjat dhe intuitën e një personi. Ajo dikton marrëdhëniet me njerëzit, si dhe mënyrën se si kujdeset një person për të tjerët.

 Karakteristikat:

– Kuptimi i thellë i emocioneve të të gjithëve

Porsi shenja intuitive dhe e ndjeshme e Peshqve, njerëzit me Hënën tek Peshqit lidhen shumë në dashuri me emocionet e partnerëve të tyre dhe ndikohen prej tyre.

Eglin e kemi parë shpesh të preket nga historitë e të gjithë banorëve brenda duke u bërë palë me dhimbjen e tyre.

– Optimizmi më i tepërt seç duhet

Hëna te Peshqit nxjerr në pah natyrën ëndërrimtare të personave, ndonjëherë duke i bërë edhe të shohin botën përmes një lenteje rozë.

Në rastin e Eglit ndoshta nuk ka nevojë për të vendosur lente sepse Gjesti vetëm me rozë vishet, por mbetet fakt që ajo refuzon të shikojë dhe përtej këtyre ngjyrave të tij.

– Naiviteti emocional

Ndonëse vendosja e Hënës te Peshqit shpjegon ndjeshmërinë ndaj emocioneve të të tjerëve, tendenca e këtyre personave është edhe t’i romantizojnë gjërat aq shumë sa rrallë e shohin realitetin siç është.

Nëse s’keni parë momentin kur motra e Eglit gjatë surprizës po i thoshtë troç të luante lojën e saj dhe Egli vazhdonte të përsëriste se Gjesti ishte i mrekullueshëm, shikoni këtë rikrijim pothuajse të paekzagjeruar të asaj që ndodhi:

– Vetëmohimi, besimi i verbër dhe të qenit të hapur me tepri

“Unë s’bëj për Big Brother” tha Egli e dorëzuar tërësisht ndaj ndjenjave që ka për Gjestin. Nëse e kemi gjykuar deri më tani, e dimë se gjithë faji qenka i Hënës te Peshqit tashmë.

– Më bujare seç duhet me simpatinë e pakufijtë ndaj dikujt

Aq herë ia ka palosur rrobat Gjestit Egli dhe aq shumë i rri gati për kërkesat e tij, sa dhe vetë Gjesti s’di të menaxhojë gjithë tepricën e bujarisë.

– Të tjerët përfitojnë dhe rezulton në lëndimin e këtyre personave

Por s’ka problem, të nesërmen në mëngjes e dimë që Egli do të zgjohet sërish e etur për dozën ditore të aromës së Nubit të saj dhe cikli do të ripërsërisë veten për  të mijëtën herë.

Shenja e Afërditës: Akrepi

Shenja e Afërditës flet për mënyrën se si shprehen dëshirat, pasionet, ajo që vlerësohet më shumë dhe mënyra e lidhjes dhe përjetimit të kënaqësisë.

 Karakteristikat:

– Natyra intensive romantike

S’ka ndonjë problem të jesh një person romantik. T’i dedikosh letrën e dashurisë sate më të madhe një personi që ke njohur në situata anormale dhe është tejet i paqartë me veten e tij nga ana tjetër është…intensive.

– Në romancë shumë të drejtpërdrejtë, direktë dhe të vendosur

Pra mos e gjykoni më Eglin që po luan rolin e mashkullit me gjithë nismat e saj të dëshpëruara për të bërë të sajin Gjestin, dashka gjykuar Afërdita e pozicionuar në Akrep!

– Posesiviteti dhe ndonjëherë xhelozia

Ndoshta dikush mund të justifikohet duke thënë se izolimi pritet ndryshe nga persona të ndryshëm, ama nga gjithë historia e Big-ut shqiptar, rasti i Eglit që ndjek pa reshtur Gjestin derisa ky i fundit t’i hedhë një shikim, qoftë edhe nga bezdia, mbetet i paprecedentë dhe me gjasë unik në llojin e vet edhe në vazhdimësi të këtij spektakli.

– Ekstremiste në romancë

Tani që Afërdita na paralajmëron për ekstremitetin e Eglit, bëjmë mirë të lutemi të gjithë se pikërisht kjo që po na shohin sytë është ekstremi që mund të arrijë kjo vajzë dhe jo ndonjë e pabërë tjetër.

– Çështjet e zemrës merren seriozisht dhe personalisht

Afërmendsh, e kemi kuptuar tani.

– Kontrolluese ndonjëherë

Seriozisht Afërditë në Akrep? Vetëm ndonjëherë thua? Egli mund të të vërtetojë të kundërtën. (Anabel)

Lajmet e fundit