Disa fotografi dhe video të publikuara në rrjetet sociale, të shoqëruara me pretendimin se në aeroportin e Rinasit kishin mbërritur pajisje akustike LRAD nga Izraeli, ngritën alarmin për përdorimin e tyre të mundshëm kundër protestuesve në Tiranë.
Postimi i paraqiste pajisjet (që njihen si prodhim amerikan të kompanisë “Genasys”), si “topa zanorë”, duke paralajmëruar për efektet e tyre dhe duke pretenduar se bëhej fjalë për një teknologji izraelite të përdorur edhe gjatë protestave të para disa muajve në Serbi.
Por, përtej pretendimeve që shoqërojnë fotografinë dhe postimet, nuk ka prova të publikuara që të konfirmojnë se pajisja e dukshme është LRAD, se ka ardhur nga Izraeli apo se është sjellë në Shqipëri për kontrollin e protestave.
Nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, por edhe burime nga institucione të tjera zyrtare Faktoje mësoi se, “bëhet fjalë për ardhjen e dy autobotëve me ujë hedhës nga Turqia dhe jo nga Izraeli”, si “dhuratë nga Netanjahu.”
Gjithnjë sipas burimeve zyrtare, konfirmohet se, “autobotët janë thjesht për përdorimin e ujit për shpërndarjen e turmave në protesta dhe nuk kanë të montuar asnjë pjesë për pajisje akustike apo të topave zanorë”.
Madje në rrjetet sociale, qytetarët nisën të paralajmëronin njëri-tjetrin se gjatë protestave duhet të pajisen me tapa për veshët nëpër farmaci ose kufje me bllokues zhurme.
“Po sjellin pajisjen izraelite që godet me radiofrekuencë! E përdorur dhe në protestat në Beograd. Ndonëse ndalohet nga të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe europiane, sepse klasifikohet te përdorimi i torturës”, – thuhej në një nga mesazhet në rrjetet sociale.
Shqipëri–Izrael, marrëveshja nuk përfshin LRAD
Dyshimet për origjinën e pajisjes në Rinas, vijnë në një kohë kur Shqipëria ka thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me Izraelin.
Në shtator 2025, Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen kuadër mes Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe homologes izraelite, ku përfshihen ndërmarrja shtetërore “KAYO” dhe kompania izraelite e grupit “Elbit Systems”.
Marrëveshja parashikon bashkëpunim për kapacitete ushtarake, përfshirë sistemin e artilerisë ATMOS, mortajat SPEAR dhe platforma kuadkopterësh.
Por, në dokumentin e publikuar, nuk përmenden pajisjet “LRAD” (edhe pse janë prodhim amerikan), sistemi izraelit “The Scream” apo pajisje të tjera akustike për kontrollin e turmave.
Pra, ekzistenca e marrëveshjes mes “KAYO”-s dhe “Elbit Systems” nuk përbën provë se Shqipëria ka porositur ose ka marrë topa zanorë.
Si mbërriti pajisja në Serbi?
Një precedent që ka ushqyer diskutimet për origjinën e pajisjeve akustike është rasti i Serbisë.
Autoritetet serbe kanë konfirmuar se policia zotëron pajisje LRAD të blera në vitin 2021, të prodhuara nga kompania amerikane “Genasys”.
Sipas raportimeve të Radio Evropa e Lirë dhe dokumenteve të prokurimit të bëra publike, në procesin e blerjes ishte përfshirë kompania serbe, “Romax Trade”, ndërsa në dokumentacion përmendet edhe ndërmarrja shtetërore “Jugoimport-SDPR”.
Pikërisht, kompania “Romax-trade”, e lidhur me prokurimin e pajisjes së njohur si top zanor, kishte marrë gjatë vitit 2024 dy leje për të importuar armë dhe pajisje ushtarake nga “Elbit Systems”, për Ministrinë serbe të Mbrojtjes.
Kjo dëshmon një lidhje tregtare mes “Romax-trade”, “Elbit Systems” dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, por nuk provon vetvetiu se pajisja akustike ishte prodhuar nga “Elbit” ose se ishte blerë për t’u përdorur kundër protestuesve.
As “Elbit Systems”, e cila ka marrëveshje me qeverinë serbe në fushën e mbrojtjes, nuk është identifikuar me prova publike si kompani përgjegjëse për këtë transaksion.
Çfarë ndodhi në Beograd?
Gjatë një proteste në 15 mars në Beograd të këtij viti, ku merrnin pjesë rreth 300,000 njerëz, në momentin kur turma po mbante një minutë heshtje për viktimat e tragjedisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, u dëgjua një zhurmë e çuditshme dhe e shkurtër.
Brenda pak sekondave, turma nisi të largohej në panik të plotë. Qindra protestues raportuan më pas në rrjete sociale dhe media se ndjenë dhimbje të forta koke, të përziera, presion në vesh dhe çorientim të menjëhershëm.
Qeveria serbe fillimisht e mohoi se posedonte armë të tilla. Dy ditë më vonë, deputetja e opozitës, Marinika Tepiç publikoi një dokument që tregonte se Ministria e Brendshme kishte marrë dy lloje topash zanorë.
Ajo tregoi edhe një fotografi ku shihet një pajisje e tillë e montuar në një xhip të xhandarmërisë serbe.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç më pas pranoi se ministria zotëron të ashtuquajturat sisteme LRAD, por mohoi se ato janë përdorur.
“Këto sisteme janë të vendosura në kuti në magazinat tona”, tha Daçiç. Atë kohë, kur ishte Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç shtoi se “gjëra të ndryshme” janë blerë, por nuk janë përdorur kurrë.
Çfarë është LRAD?
LRAD (Long Range Acoustic Device) është një pajisje akustike e prodhuar nga kompania amerikane “Genasys”.
Ajo përdor tingull të drejtuar me intensitet të lartë për komunikim në distanca të mëdha dhe mund të shkaktojë dhimbje apo dëmtime të dëgjimit në varësi të nivelit dhe kohëzgjatjes së ekspozimit.
Ajo mund të përdoret si një altoparlant i fuqishëm për të dhënë paralajmërime në distanca të mëdha, por ka edhe funksionin taktik që të lëshojë një rreze të fokusuar zëri me frekuencë të lartë, e cila kalon pragun e dhimbjes njerëzore.
Përdoret për shpërndarjen e turmave duke shkaktuar ç’orientim, paaftësi për të qëndruar në atë zonë dhe, në raste ekstreme, dëmtime të përhershme të dëgjimit. (Faktoje.al)



