Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrin pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 22 tetor në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Sipas agjendës paraprake, mbërritja zyrtare e liderëve do të nisë në orën 09:30, kohë kur janë paraparë edhe deklaratat për media. Ndërkaq, fillimi i Samitit të Liderëve është planifikuar për orën 10:20.
Në këtë samit do të marrë pjesë edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë qëndrimit në Mal të Zi do të zhvillojë takime me udhëheqësit e vendit dhe përfaqësues të tjerë politikë.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, Kos do të diskutojë me përfaqësuesit malazezë për përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe reformat e nevojshme për avancimin e këtij procesi.



