Kur perëndon dielli dhe ju jeni jashtë duke shijuar qetësinë, a e gjeni shpesh veten në një ndjekje të padëshiruar të mushkonjave? A ju duket sikur ato gjithmonë tërhiqen më shumë nga ju sesa nga të tjerët? Epo, nuk jeni duke i imagjinuar gjërat! Ju mund të jeni thjesht “pjata ideale e darkës” për këto insekte të bezdisshme.
Dr. Sonja Swiger, shkencëtare në “Texas A&M AgriLife Extension Service”, konfirmon se mushkonjat e përzgjedhin objektivin e tyre. Por çfarë ju bën më tërheqës se të tjerët?
Shenjat e vogla që kanë rëndësi
Në kundërshtim me atë çfarë besohet gjerësisht, mushkonjat nuk e zgjedhin prenë e tyre rastësisht. Ato janë shumë të sakta, madje përdorin shenja shqisore si dioksidi i karbonit, nxehtësia e trupit, madje edhe erën e trupit. Swiger, e cila e identifikon veten si një “magnet mushkonjash”, është dakord me këtë. Ajo thekson se ndryshimet në këta faktorë mund të ndryshojnë ekuilibrin e tërheqjes prej mushkonjave.
Lloji i gjakut
Ashtu siç ne kemi ushqimet tona të preferuara, ashtu edhe mushkonjat kanë grupet e tyre të preferuara të gjakut. Studimet tregojnë se mushkonjat preferojnë më shumë grupin 0 të gjakut. Megjithatë, ndryshimi është i rëndësishëm vetëm midis tipit 0 dhe tipit A. Por, përpara se të lehtësoheni (ose të shqetësoheni nëse jeni tip 0), Swiger na paralajmëron të marrim parasysh që këto studime kanë kufizime.
Ushqimi dhe alkooli
Ndonjëherë, ajo që konsumoni përcakton gjithashtu nëse bëheni magnet për mushkonjat. “Ka disa kërkime që mbështesin faktin se ndryshimi i dietës suaj do t’ju bëjë të lëshoni aroma të ndryshme të cilat janë “tërheqëse” për mushkonjat,” tha Swiger. “Pra, është e mundur t’i bëni mushkonjat të qëndrojnë larg jush vetëm duke ndryshuar mënyrën e të ushqyerit.”
Nga ana tjetër, individët e dehur prodhojnë më shumë dioksid karboni dhe djersë, të cilat tërheqin insektet. Hudhra dhe vitamina B shpesh cilësohen si parandalues të mushkonjave. Ndërsa ushqimet me përmbajtje të lartë kaliumi si bananet duket se i tërheqin më shumë ato.
Swiger shpjegon se konsumimi i këtyre ushqimeve çon në një rritje të prodhimit të acidit laktik në trup, një magnet për mushkonjat. Kjo gjithashtu ndikon në lëkurën tonë.
Shtatzënia
Provat sugjerojnë se gratë shtatzëna mund të jenë më tërheqëse për mushkonjat, kryesisht për shkak të rritjes së prodhimit të dioksidit të karbonit. E shoqëruar me ndryshime të tjera fiziologjike, të tilla si rritja e nxehtësisë së trupit, kjo i bën gratë shtatzëna objektiv kryesor për mushkonjat.