Nga Ylli Manjani
Një tjetër goditje ndaj procesit të Vettingut vjen nga Strasburgu, në çështjen Papandile kundër Shqipërisë.
Vetë rasti është ilustrues për mënyrën se si Vettingu, në kulmin e arrogancës së tij, doli jashtë çdo kufiri të kompetencës dhe ndërhyri edhe mbi të drejtat e dikujt që nuk ishte pjesë e sistemit të drejtësisë, por vetëm synonte të hynte në të.
Ka pasur një moment kur institucionet e Vettingut morën përpara gjithçka. Nuk u bënte më dritë syri të shihnin kë kishin përballë. Dënonin këdo që u dilte përpara, pa u shqetësuar fare nëse kishin apo jo kompetencë ligjore për ta bërë këtë. Ishte një mekanizëm që kishte humbur masën, kufirin dhe sensin e shtetit.
Strasburgu, që mesa duket nuk është më nën ndikimin politik të Komisionit Europian, që prezantohej si “pronari” e reformës në drejtësi, po jep vendime gjithnjë e më të qarta kundër mënyrës se si u zbatua Vettingu. Kjo nuk do të thotë detyrimisht se Gjykata Evropiane po rrëzon reformën në tërësi. Në thelb Strasbourg po thotë diçka më e rëndë: po evidenton se shteti shqiptar ka shkelur të drejta themelore në emër të saj.
Ky është thelbi i problemit.
Vettingu ishte një proces poshtërues për shtetin shqiptar. Në emër të luftës kundër korrupsionit të pushtetit politik, shteti ndërmori një akt të paprecedentë kundër vetes. Nxori në rrugë gjyqtarë dhe prokurorë që, deri një ditë më parë, kishin dhënë vendime në emër të Republikës së Shqipërisë, kishin dënuar njerëz edhe me burgim të përjetshëm dhe përfaqësonin autoritetin e ligjit.
Çfarë paradoksi!
Një ditë shteti të jep togën dhe autoritetin për të gjykuar në emrin e tij. Të nesërmen, po ai shtet të flak në rrugë mbi bazën e hamendësimeve, perceptimeve publike dhe metodave të arsyetimit që ngjanin më shumë me gjyqet politike të komunizmit sesa me standardet e një shteti të së drejtës.
Turpi është shumë pak për ta përkufizuar atë që ndodhi.
Ishte një krim kundër shtetformimit.
Sepse shteti vrau masivisht punonjësit e vet.
Asnjë shtet nuk ka shans të mbijetojë kur vendos të asgjësojë administratën dhe trupën e vet institucionale në mënyrë masive. Një shtet që e bën këtë nuk forcohet, por vetëvritet. Nuk ndërton institucione, por krijon frikë. Nuk prodhon drejtësi, por prodhon bindje se askush nuk është i mbrojtur nga arbitrariteti.
Gjithçka do bëhej dhe u bë, për të luftuar korrupsionin. Por korrupsioni nuk luftohet duke shkatërruar shtetin. Aq më pak kur narrativa e “luftës së madhe” përdoret për të legjitimuar një pushtet politik që vetë është akuzuar vazhdimisht si epiqendra e korrupsionit. Sigurisht që korrupsioni nuk u luftua, por u sofistikua. Thjesht u rrit çmimi…
Më e rënda ishte se shteti vrau punonjësin e vet. Pra, vrau veten.
Shqipëria është ndoshta rasti më ekstrem në Evropë. Serbia, sapo e provoi këtë model, e tërhoqi pas vetëm nëntë muajsh. Rumania dhe Kroacia e zbatuan në mënyrë shumë më të kufizuar dhe pa pasoja vetëshkatërruese për sistemin. Kosova dhe Maqedonia e Veriut refuzuan ta ndërtonin sistemin mbi këtë instrument.
Ne jo.
E çuam deri në fund, me një zell që prodhoi pasoja antishtet.
Po, na u tund përpara karrota e negociatave me Bashkimin Evropian. Por ndërkohë mbi shpinën e qytetarëve dhe të vetë shtetit ra shkopi i përditshëm i mungesës së një sistemi normal drejtësie.
Sot lind një pyetje që nuk është aspak antievropiane, por thellësisht shtetformuese: çfarë vlere ka anëtarësimi në Bashkimin Evropian, nëse nuk arrijmë të kemi gjyqtarë që gjykojnë mbi prova dhe jo mbi perceptime publike? Çfarë vlere ka, nëse zyrtarët kanë frikë të zbatojnë ligjin, sepse një firmë mund t’u kushtojë vendin e punës ose lirinë?
Vettingu mbetet përvoja më e hidhur në memorien institucionale të këtij shteti.
Dhe krenaria me të cilën u propagandua është, në fakt, një arsye për reflektim të thellë. Sepse tregon se kemi ende një problem serioz me konceptin e shtetit. Ne vazhdojmë ta identifikojmë shtetin me politikanët. Kur zemërohemi me ta dhe nuk dimë si t’i ndëshkojmë përmes votës, i biem shtetit, nëpunësit, gjyqtarit, prokurorit, administratës.
Kjo nuk ishte reformë. Kjo ishte, ende është sjellje vetëshkatërruese.
Prandaj, ajo që u bë duhet, në një mënyrë ose në një tjetër, të korrigjohet. Jo për të rikthyer pandëshkueshmërinë. Jo për të mbrojtur të korruptuarit. Por për të rehabilituar padrejtësinë aty ku ajo është provuar, për t’u kthyer dinjitetin atyre që u goditën pa prova dhe pa të drejtë, dhe për t’i rikthyer shtetit kapitalin njerëzor që ai vetë shkatërroi.
Edhe ndjesa është institucion shtetformues.
Dhe nuk do të vijë gjithçka nga Strasburgu. Strasburgu mund të konstatojë shkeljen. Por vendimet për të riparuar shtetin duhet të merren këtu.
Me burrëri.
Me kurajë.
Dhe, mbi të gjitha, me një koncept të vërtetë shtetformimi.



