Turizmi përshpejtoi ritmin e rritjes në korrik, duke ndryshuar panoramën e muajit paraardhës, kur hyrjet e shtetasve të huaj shënuan një rritje modeste prej vetëm 1.28%.
Të dhënat zyrtare për lëvizjen e shtetasve tregojnë se korriku regjistroi numrin më të lartë të hyrjeve të të huajve për këtë vit, me 1.95 milionë, nga 1.82 milionë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje vjetore prej 7.1%.
Në periudhën janar–korrik 2026, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 7.014 milionë, krahasuar me 6.587 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose 6.48% më shumë.
Ecuria më e fortë e korrikut ishte e pritshme për operatorët turistikë, të cilët e konsiderojnë këtë muaj dhe gushtin si pikun e sezonit veror dhe të gjithë vitit. Qershori, ndërkohë, u mbyll larg pritshmërive, me rezervime më modeste, veçanërisht nga turistët që rezervojnë në momentin e fundit.
Turizmi ka shfaqur një ecuri me luhatje gjatë këtij viti. Ritmet e rritjes kanë kaluar nga nivele dyshifrore në disa muaj në rritje thuajse të papërfillshme në të tjerë, ndërsa gjatë pranverës ecuria u ndikua edhe nga kushtet e motit.
Pritshmëritë për vitin mbeten që sezoni veror të vijojë me ritme pozitive, afërsisht të ngjashme me ato të vitit të kaluar. Operatorët presin që shifrat më modeste të regjistruara në disa muaj të pjesës së parë të vitit të kompensohen nga turet e vjeshtës, të cilat vitet e fundit kanë shënuar rritje të vazhdueshme të interesit.
Lëvizja e shtetasve, INSTAT
“Gjatë muajit Korrik 2026, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 2.826.615 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 6,1 %, krahasuar me Korrik 2025. Gjithashtu, 2.661.504 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 3,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet në Shqipëri: Shtetas shqiptarë: 871.516 (rritje me 4,1 %) Shtetas të huaj: 1.955.099 (rritje me 7,1 %)
Daljet nga Shqipëria: Shtetas shqiptarë: 790.261 (rritje me 0,9 %) Shtetas të huaj: 1.871.243 (rritje me 4,3 %) Rajonet e hyrjes së shtetasve të huaj: Evropa Jugore kontribuon me 64 % dhe Evropa Qendrore / Lindore me 13 % të hyrjeve nga Evropa.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99 % të rasteve është për qëllime personale. Në Korrik 2026, ky tregues ka shënuar një rritje me 7,3 %, krahasuar me Korrik 2025. Hyrjet e shtetasve të huaj, për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 8,9 %” thuhet në publikimin e INSTAT.



