spot_img
spot_img

Erion Braçe i vendosur: Do i shkoj deri në fund garës për Bashkinë e Tiranës dhe do fitoj

spot_img

Deputeti socialist, i cili shpesh herë është edhe një kritik i “të vetëve” ka rikthyer në vëmendje dëshirën dhe ambicien e tij për të garuar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Përmes një video të publikuar në rrjetet e tij sociale, Erion Braçe u është referuar “emrave” që po qarkullojnë lart e poshtë se personave të caktuar u është dhënë mbështetje dhe janë nxitur të nisin punën me synimin për t’u përfshirë në garë.

“Zgjodha që të them disa gjëra këtu nga Kombinati. Më thonë që i është dhënë fisto filanit për të qenë ai kryetari i Bashkisë. i është dhënë fistekes që ti do bëhesh, i është thënë të tjerëve që punoni se ti e ke mundësinë për tu bërë dhe ti do të bëhesh.

Por shumë mirë. Nuk ka gjë më të mirë se PS të ketë alternative për kandiatin për kryear Bashkie.”, dëgjohet të thotë Braçe ndër të tjera, duke theksuar më tej se ai do të jetë në garë dhe se nuk ka pritur një sinjal nga strukturat e partisë për të filluar punën.

Pasi ashtu si dhe ai e thotë qartë, prej kohësh po punon në terren, duke zhvilluar takime me qytetarët dhe duke ndjekur nga afër problematikat e kryeqytetit, nga lagjet dhe rrugët deri te shërbimet publike.

“Një prej tyre jam dhe unë dhe nuk kam pritur të më thotë dikush fillo puno. Po mundohem të kuptoj qytetin dhe të them çfarë unë mendoj për qytetin dhe çfarë duhet bërë që ky qytet të rikthehet i jetueshëm në maksimumin e tij. Ashtu si njerëzit e duan, të pastër, të gjelbër, me shërbime”, thotë ai nga Kombinati.

Deputeti socialist kërkon gjithashtu një proces më gjithëpërfshirës brenda PS-së. Sipas tij, socialistët duhet të kenë rol në përzgjedhjen e kandidatit dhe jo thjesht të përballen me një emër të vendosur më herët.

Postimi i plotë i Braçes:

Nga mesi i Kombinatit:

Unë nuk besoj se socialistët duan një njoftim, por duan të vendosin.

Unë nuk besoj se socialistët duan të votojnë një njoftim, por duan të zgjedhin kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës!

Më kanë shkruar plot njerëz të mirë nga territori këto ditë.

I kanë thënë dikujt: “Ti do të jesh, fillo puno”, dhe ai ka nisur punën fort. I kanë konfirmuar dikujt tjetër: “Ty të kam, merru me njerëzit”, duke e lënë të kuptohet se “mund të jesh ti”.

Shikoni, kjo është shumë mirë. Ka gjallëri, edhe pse e padukshme, edhe pse “nuk është momenti”.

Mua më pëlqen të ketë garë, punë konkrete në territor, diskutime për zgjidhje.

Jam edhe unë një nga të gjithë dhe nuk prita të më thotë dikush: “Do të jesh ti, puno tani”. Jo. Ndjeva njerëzit në rrugët dhe lagjet e Tiranës, pashë çfarë nuk ecën dhe krijon probleme. Po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë më rrugicë. Po flas me shumë njerëz për atë që duhet të ndryshojë rrënjësisht në këtë qytet, për ta rikthyer që të bëhet sërish i jetueshëm.

Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është

Nuk pres një njoftim në mur apo në eter. Nuk vlen njoftimi, është i vjetër. Kriza që po jetojmë ka në thelb mënyrën se si vendosim, dhe njoftimi, përjashtues në përgjithësi, nuk është më element i vendimmarrjes.

Socialistët, para së gjithash, por edhe njerëzit më gjerë – sidomos në këtë qytet – duan të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo të marrin dhe të votojnë njoftime si produkt i një vendimmarrjeje që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë dhe që nuk i përfshin.

Kjo duhet të ndryshojë dhe Tirana e meriton!

Lajmet e fundit