23.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Pushkaliqja e Arben Ahmetajt

    Nga Bedri Islami

    Në fëmijërinë e hershme, djemtë e lagjes, kur ende lufta ishte lojë, bënin disa gjëra të vogla, me tela, kapsolle të zbrazura, më duket se në të hidheshin majat e shkrepseve, lidhej një gozhdë që godiste dhe, hop, kur përplaseshin bëhej një zhurmë e madhe.

    Krisma pushkaliqesh. E zhurmshme, por e kotë.

    E kisha pritur me kureshtje të veçantë intervistën e ish numrit 2 të qeverisë Rama, Arben Ahmetaj. I shpalluri në kërkim ndërkombëtar, që mendohej se strehohej diku nga Jemeni apo Jordania, qenka shumë afër, dhe, megjithëse institucione të specializuara e kërkojnë, ai shijoka jetën në një resort të Zvicrës!!!, ku mund të intervistohet qetësisht nga një gazetar çapraz.

    Zhurma mediatike që u bë para intervistës, vendi që kishte zënë ai në disa qeveri të së majtës, qoftë si ministër finance apo ministri i Rindërtimit, afërsia e tij me shefin e qeverisë, lufta që flitej se zhvillohej në pas skenën e së majtës se kush do të ishte pasardhësi i shefit, lidhjet e përfolura me klanin Meta – Kokëmadhi, aferat e hetuara nga SPAK, por më shumë të njësuara nga media të ndryshme, fakti që ishte i arratisur nga drejtësia shqiptare, bllokimi i pasurisë së tij, që në fakt ishte tronditëse si vlerë, i gjithë proçesi i impianteve të trajtimit të mbetjeve, emrat e përfolur dhe ata të arrestuar , e, në fund, fakti që kishte zgjedhur pikërisht median e opozitës, për më tepër të dy familjeve klanore opozitare, Meta – Berisha, të gjitha e bënin interesante pritjen.

    U fol për bomba, për hedhje në erë të qeverisë, afishime të reja të çështjes, pas skena politike dhe ndjekje si në monizëm, gjueti shtrigash. Çfarë kishte ndodhur – do të zbulohej në pak orë; çfarë nuk ishte ditur- do të dihej; enigmat do të zbardheshin, njeriu i fajësuar do të shfajësohej, shefi i qeverisë, Erion Veliaj, Balluku dhe i gjithë ekipi drejtues i së majtës do të kishte kataklizmën e tij.

    Në fakt ishte vetëm një pushkaliqe, nga ato që i plasnin fëmijët e lagjes sime, kur lufta ishte ende lojë në mendjen e tyre. Zhurmë e madhe, vlerë e vogël.

    Nuk më intereson motivi nga i cili është nisur Ahmetaj. Edhe nëse është nisur për të fituar një status politik, kjo është zgjedhja e tij. Por, ai, asnjë ditë nuk ka qenë i përndjekur politik e as nuk mund të jetë. Ai është edhe mbetet njëri ndër oligarkët e fuqishëm politik të këtyre viteve, që ka bredhur, si shumë shokë të tij, në strukturat e mbledhjes së parave, deri si Ministër Finance, për të vajtur te tregu i madh i Rindërtimit të pasojave të tërmetit.

    Në të gjithë këtë periudhë, qoftë në parlament, në parti, në media ai nuk është shfaqur i rebeluar, si zë ndryshe nga ai i shefit të tij. Kaq i bindur ka qenë ai në afërsinë dhe në besimin e shefit të tij politik e administrativ, sa që, edhe kur e larguan si ministër i financës, ishte i bindur se shumë shpejt do të rikthehej në qeveri.

    Pra, roli i disidentit politik dhe i të përndjekurit është i vonshëm dhe nuk i shkon shtatit të shkurtër politik të Ahmetajt. Nëse ky ishte shkaku i intervistës, Rama është aq i mënçur sa që të mos zgjojë gjueti shtrigash ndaj tij. Do e lërë të qetë në hulumtimet e tij.

    Faktet që solli ish numri dy i qeverisë ishin hamendje, interpretime të asaj ku ka qenë pjesë dhe kalim i pronësisë së krimit në dyer të tjera. Natyrisht një proçes kaq i gjërë, ku kanë qenë të përfshirë, ose mendohen se janë të përfshirë shumë vetë, nuk mund të jetë atribut i Arben Ahmetajt. Personalisht, duke e ditur se njeriu që do të shpallte krimin, ai vetë zevendësi i kryeministrit, kishte pasur shumë role të rëndësishme qeveritare, do të sillte fakte, dokumenta, proçese, do i ballafaqonte ato me faktet e hedhura në tregun e mediave apo të shpallura nga institucionet e drejtësisë. Interpretimi i atyre që i quante fakte, nuk janë prova dhe as nuk bindin njeri të arsyeshëm. Në të gjitha interpretimet e tij mungonte saktësia, fakti, dokumenti.

    Dhe, do apo nuk do ai, do apo nuk do klani i qarkuar rreth TV Syri, ai do të vazhdojë të mbetet politikani nën hetim, pjesë e dosjeve të SPAK-ut dhe të institucioneve të tjera.

    Nganjëherë, në ferren e vogël, fle lepuri i madh. Lidhjet e tij me Mërtirin, që janë saktësuar përmes një lidhje të habitshme, pagesave për udhëtime e hotele, të cilat ministri paska dashur të fshehë atë që është ditur nga të gjithë, saktësuan se ka pasur një lidhje tjetër, që , edhe pse përmes qeverisë kishte rrjedhën e saj, kalonte edhe përmes lidhjeve private, të cilat, aq sa ishin shoqërore, më tepër se kaq ishin financiare dhe ekonomike.

    Njerëzit pritën që , më në fund, Ahmetaj do të bënte katarsin e tij, qoftë politik, apo edhe shoqëror. Në fund të fundit pastrimi i shpirtit është gjithnjë një akt heroik. Ai u përpoq të shfaqej si njeriu që po bënte një akt heroik, por zhurma e gjithë asaj që tha më solli në kujtesë krismat e pushkaliqeve të fëmijve të lagjes.

    Heronjtë pa asnjë akt heroik janë të nveritshëm dhe të kotë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit