Kalimi i kohës pranë ujit, si deti, liqeni apo lumi mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin fizik dhe mendor. Sipas disa studimeve shkencore, vetëm 20 minuta në një ambient natyror pranë ujit mjaftojnë për të ulur nivelin e kortizolit, hormonit që lidhet me stresin.
Qëndrimi larg zhurmës dhe ritmit të qytetit, ndërsa dëgjoni tingujt e ujit dhe shijoni lëvizjen e tij, ndihmon sistemin nervor të relaksohet dhe trupin të rikthejë balancën.
Ekspertët e përshkruajnë këtë ndjesi si “mendja blu” një gjendje qetësie dhe përqendrimi të ngjashme me meditimin, ku njeriu ndjen më shumë qartësi mendore dhe lidhje me natyrën.
Pamja e valëve, rrjedha e ujit apo reflektimet mbi sipërfaqe kanë efekt qetësues për trurin. Ky stimul i butë ndihmon në largimin e tensionit emocional dhe në krijimin e një ndjenje mirëqenieje.
Specialistët theksojnë se natyra vazhdon të jetë një nga mënyrat më të thjeshta dhe efektive për të luftuar stresin e përditshëm. Edhe disa minuta pranë ujit, të përfshira rregullisht në rutinë, mund të përmirësojnë humorin, qartësinë mendore dhe shëndetin në përgjithësi.



