11.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rama, McGonigal dhe fondet ruse për PD-në (pse nuk po i ngjizen “revolucionet” Saliut)

    Kali i betejës kundër Edi Ramës dhe qeverisjes tani është bërë afera e një nëpunësi të lartë të FBI, i cili drejtonte një divizion të posaçëm në New Jork, por që, përmes ortakëve apo të njohurëve të tij kishte vendosur kontakte dhe lidhje,  gjysëm zyrtare, apo miqësore me shefin e qeverisë në Shqipëri, me të cilin, ishte takuar disa herë, në zyrën kryeministrore dhe në Amerikë.

    Oficeri i lartë i FBI, qoftë kur ishte në detyrë, qoftë më pas, pra, pas vitit 2018, ka qenë në Shqipëri, ka synuar të ketë një biznes të përbashkët, ka shëtitur në gjysëm e vendit, është takuar me njerëz të politikës, të biznesit, ka marrë ndonjë titull nderi, si në Tropojë, i shoqëruar nga tropojani i njohur Agim Neza, ose Personi A, si njihet në dosjen e akuzave ndaj McGonigal.

    Opozita synon të paraqesë këtë aferë të radhëa si rënien e sistemit dhe të vetë qeverisë. Mirëpo, asnjë nga rethanat nuk e transformon apo hedh poshtë historinë e rublave ruse që u paguan në emër të PD-së për Nick Muzin, lobist i njohur amerikan, i burgosur për infiltrimet ruse.

    Këto të dhëna kanë shkuar nga zyra kryeministrore në FBI? Kjo nuk është e paligjshme, përkundrazi zoti Rama do të shkelte ligjin nëse nuk do të denonconte një krim për të cilin ishte në dijeni. Opozitës, nga njëra anë i dhëmb që është zbuluar afera e saj, me nëntokën ruse, e nga ana tjetër synon që të fshehë pas gjethes së fikut atë që ka ndodhur.

    Sido që të ketë vepruar qeveria e sotme kjo nuk është alibi për krimin e së djeshmes nga PD. Është fakt i pranuar që 500 mijë dollarë janë paguar në emër të PD-së, nga dy biznesmenë rusë. Askush nuk e ve dorën në zjarr që ky ndikim nuk është ende i pranishëm.

    Opozita, në dy anët e saj, si ajo e Foltores që ka zyrat, si ajo tjetra, që ka vulat të habisin me ekstazën e tyre politike. Sipas tyre, kjo që paska ndodhur është skandali më i madh ndonjëherë në Shqipëri. A thua nuk janë po këta që brenda vetes akuzuan njëri-tjetrin se kanë bashkëpunuar dhe kanë marrë financime të mëdha nga burime ruse për lobimin në SHBA. Për më tepër, kanë ngritur edhe një komision hetimor partiak, për të zbuluar se deri ku shtrihen fijet e oktopodit politik rus te Lulzimi dhe të tijtë.

    Ndërkohë të gjitha raportimet thonë se, njerëzit që kanë shoqëruar oficerin e lartë të FBI janë njerëz që, me heret, por edhe tani, kanë qenë të afërt dhe janë të afërt me Berishën dhe Metën, qoftë Nezs, apo Dizdari e Duçka, ky i fundit familjar i afërr madje i ish-Presidentit.

    Neza është njohur si mik i afërt i zotit Hajdari, mbështetës i së bijës në postin e kryetares së PD-së, dhe, shumë nga njerëzit e tij të afërt janë pjesë e rrethit të ngushtë të zotit Berisha. Avokati Dizdari, para se të favorizohej nga qeverisja aktuale, është licensuar nga qeveria Berisha, në koncesionet e naftës, pavarësisht se lidhjet e tij me Gazpromin rus janë bërë të njohura qartazi me prova publike.

    Deri tani dimë vetëm që zoti Rama është takuar me një titullar, apo ish titullar të lartë të FBI-së. Ka të dhëna se edhe zoti Meta është takuar me të. Po pyes,  cili do të ishte ai funksionar partiak i Tiranës që nuk do të vraponte të takonte një figurë të lartë të institucionit me të rëndësishëm në fushën e sigurisë, jo vetëm në Amerikë por në të gjithë botën? Mos vallë Saliu nuk do ta takonte?

    Ndërkohë që akuzojnë se kryeministri ka favorizuar një zyrtar të FBI-së, nuk është shumë e largët koha, kur pa asnjë titull ekzekutiv dhe asnjë vlerë, (veç miqësisë me familjet Berisha dhe Basha), Saliu fuste në Këshillin e Sigurimit një figurë të njohur nga bota e mafias politike e finaciare, Damir Fazlliqin

    I cili vinte nga skutat e botës së errët të nëntokës serbe, në të njëjtën kohë kur në politikë po vinin “kop-istët” nga Prishtina, me në krye Lulzim Bashën dhe në prapa skenë, Argitën.

    Me cilin argument justifikues ishte bërë pjesë Fazlliqi aty; me cilin atribut Berisha kërcënoi se do e sillte të mbante fjalim në Parlamentin e Shqipërisë; në emër të cilit institucion veproi kur e nxorri tinëzisht nga Shqipëria, kur një grup i vogël prokurorësh vendosën ta thirrnin për transfertat e tij milionëshe, që jo rastësisht bëheshin nëpërmes zyrës Malltezi apo Kola.

    Berisha e dinte se Fazlliqi ishte nipi i Stanishiqit, shefit të shërbimit sekret serb në kohën e Millosheviqit. Shefi i sektorit të kundërzbulimit në FBI, kur erdhi herën e parë në Shqipëri, qoftë privatisht apo në rrugë zyrtare të pashapllur, nuk ishte një figurë dosido, që mund të injorohej nga shefi i qeverisë, dhe, po ashtu, nuk është detyra e shefit të qeverisë shqiptare të informojë eprorët e lartë të FB se çfarë ka biseduar me vartësin e tyre. Asnjë ligj i botës nuk e detyron për këtë dhe as nuk e ndalon të takohet me secilin që ai mendon se është i vlefshëm.

    Shlurt, është i saktësuar dyshimi se PD, direkt apo indirekt, në dijeninë e saj apo jo, ka përfituar financime nga burime të dyshimta ruse. Kjo, edhe para se të dilte afera Mc Gonigal, është pranuar nga grupi i Foltores dhe ishte njëri ndër kuajt e betejës kundër Lulzimit. E kanë sinqerisht se janë të prekur nga lobimi rus apo kjo sherben për të nxitur një frymë antiperëndimore, kjo është tjetër gjë.

    Le ti rrimë logjikës, jo çmendisë. Zyrtari i lartë i FBI, ka takuar shefin e qeverisë shqiptare. Nga këto takime mund të kenë përfituar dy shoqëruesit e tij, Neza dhe Dizdari, për licensat e naftës?  Kjo është pyetja e duhur. Nëse provohet kjo, atëherë shefi i qeverisë ka përgjegjësi, dhe duhet ta mbajë atë. Aq më tepër, që ky person (Dizdari) ka e-maile të publikuara që e lidhin me Gazpromin rus.

    Por Berisha nuk e prek këtë anë, sepse Dizdari është licensuar prej tij, ka fituar para publike edhe prej tij, është investuar në PD, etj, etj. Në vend të kësaj merret me hetimin amerikan për fondet ruse dhe merret siç vetëm ai di të merret: deri dje thoshte “ia ka mbyllur Bashës, Rama”, e tani na thotë që “e ka hapur Rama”.

    Nuk mund të fajësohet shefi i qeverisë shqiptare vetëm me “provën” se paska takuar në kohë të ndryshme oficerin e lartë të FBI-së. Me dhjetëra drejtues të lartë shtetesh ka takuar Berisha në mandatin e tij të parë si president, por asnjëri prej tyre nuk e dinte se pikërisht ky njeri do të shkatërronte demokracinë, do të kishte mbi vete vitin 1997, do bëhej vrasës dhe zhdukës provash, do përfshihej në korrupsion madhor e në fund do shpallej non grata.

    Asnjë funksionar i lartë, veç pendesës që e kishte mbështetur, nuk mbajti përgjegjësi. Nëse tani e kanë bojkotuar kjo do të thotë se ata kanë zënë mend nga e djeshmja, e cila nuk bëhet kurrë e sotme.

    Është një kauzë e gjetur nga inati dhe mos përmbajtja proverbiale e Berishës. I ngutshëm për të shpëtuar nga burgu, çdo tingëllim i duket si kambanë lufte. Sulet përpara, pa e menduar se njerëzit i dinë të gjitha bëmat e mëhershme.

    “Revolucioni” i tij i radhës, si edhe më parë, do të jetë një “revolucion” i dështuar. Nuk mund të bësh kauzë me fajet e gjynahet e tua. Është e pamundur.(Bedri Islami)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit