spot_img
spot_img

Rama përplaset me Sala-n për “superkompaninë” e barnave: Ministrja refuzon të firmosë, kryeministri e pret deri në shtator pastaj…

spot_img

Një projektligj i qeverisë për krijimin e një shoqërie shtetërore, e cila do të marrë nën administrim pothuajse të gjithë zinxhirin e furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore, ka shkaktuar përplasje në nivelet më të larta të qeverisë.

Burimet bëjnë me dije se pikërisht ky projektligj është në qendër të mosmarrëveshjeve mes kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

Sipas të njëjtave burime, ministrja ka shprehur rezerva serioze ndaj draftit dhe ka refuzuar ta firmosë atë në formën aktuale.

Megjithatë, sipas informacioneve, qëndrimi i ministres nuk duket se ka ndryshuar planet e kryeministrit.

Burimet thonë se Edi Rama i ka lënë afat deri në muajin shtator për finalizimin e procesit, ndërsa në të kundërt largimi i saj nga detyra konsiderohet si një mundësi reale.

Projektligji nuk parashikon vetëm krijimin e një organi qendror blerës. Ai krijon një shoqëri aksionare 100% shtetërore që do të planifikojë, prokurojë, importojë, magazinojë, transportojë dhe shpërndajë barna e pajisje mjekësore për institucionet publike të kujdesit shëndetësor.

Por kompetencat e saj shkojnë edhe më tej. Drafti i jep të drejtë shoqërisë të krijojë ose të marrë pjesë në kompani të tjera publike apo private, të financojë projekte, të zhvillojë partneritete publiko-private, të importojë dhe tregtojë barna, madje edhe të zhvillojë kapacitete prodhuese në këtë sektor.

Sipas burimeve, pas kësaj strukture parashikohet të përfshihet një kompani izraelite. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë informacion dhe nuk është bërë publik as identiteti i kompanisë që përmendet nga burimet.

Nëse miratohet në formën aktuale, projektligji do të përfaqësonte një nga centralizimet më të mëdha të sistemit farmaceutik shqiptar në dekadat e fundit, pasi një shoqëri e vetme do të administronte praktikisht të gjithë zinxhirin e furnizimit të sistemit publik shëndetësor, nga planifikimi deri te shpërndarja dhe rezerva strategjike.

Qeveria nuk e ka bërë ende publik draftin për konsultim dhe Ministria e Shëndetësisë nuk ka komentuar zyrtarisht mbi informacionet për mosmarrëveshjet lidhur me këtë projektligj, apo mbi zërat për largimin e ministres.

Lajmet e fundit