12.5 C
Tirana
E hënë, 30 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rasti kur ia vlen të thuash “o sa mirë me qenë shqiptar”

    Nga Ruben Avxhiu

    Dy shqiptaro-amerikanë bënë bujë këtë javë kur ndërhynë për të shpëtuar një grua aziatiko-amerikane nga një përpjekje e dhunshme për ta grabitur. Sulmuesit e armatosur me thinka goditën të paktën 9 herë babain si dhe djalin që përfunduan të dy në spital.

    Por akti i tyre ka frymëzuar shumëkënd që të shprehin mbështetje e falenderim për ta.

    Më shumë se 165,000 dollarë janë mbledhur, në vetëm dy ditë, për dy shpëtimtarët babë e bir, kryesisht me shuma të vogla nga mijëra aziatiko-amerikanë.

    Në dy vitet e fundit që kanë shënuar një rritje të kriminalitetit në Nju Jork, pre e sulmeve të dhunshme kanë qenë në mënyrë të veçantë aziatiko-amerikanët. Në shumë raste që kanë bërë bujë, si shtyrje në shinat e trenit, me pasojë vdekjen, krimet janë kryer nga njerëz që nuk duhej të ishin jashtë burgut.

    Lehtësimi i lirimit të të akuzuarve për të mos u mbajtur në burg deri në ditën e gjykimit është futur si ligj me synimin dashamirës që të mos diskriminojë të varfërit që nuk paguajnë dot shumë e nevojshme për lirim me kusht.

    Një arsye tjetër ka qenë drejtësia racore. Sipas statistikave djemtë e zinj janë në përqindje shumë të lartë mes atyre të mbajtur në burg deri ditën e gjyqit.

    Në realitet kjo ka sjellë lëvizjen e lirë në rrugët e Nju Jorkut të shumë të rinjve me të kaluar të dhunshme, të kërkuar nga policia për krime të ndryshme, përsëritës të sulmeve fizike e përdhunimeve.

    Edhe zgjedhja e kryebashkiakut Eric Adams, një ish-oficer policie dhe demokrat që ka qenë kritik ndaj të majtës radikale që kërkonte shkurtime të buxhetit të policisë dhe që është autore e zbutjes së masave ndaj krimit në qytet, ishte reaksion ndaj frikës prej rritjes së krimit.

    Mbështetësit e reformave në drejtësi dhe forcat e rendit këmbëngulin se krimi nuk është rritur edhe aq sa të justifikojë kthimin pas. Ata këmëngulin se problem më i madh mbeten abuzimet e policisë sidomos ndaj komunitetit afrikano-amerikan.

    Por, sidomos mes aziatiko-amerikanëve por edhe komuniteteve të tjera etnike ka pakënaqësi dhe frikë se lehtësimet po bëhen në kurriz të sigurisë në qytet. Fitorja e Adams kundër kandidatëve të tjerë të majtë ishte prova se edhe shumica e demokratëve e mendojnë kështu.

    Ky reagim i komunitetit aziatiko-amerikan për dy shqiptaro-amerikanët heronj është tregues jo vetëm i mirënjohjes për guximin njerëzor e qytetar, por edhe i nevojë së dëshpëruar për një akt sfidues, për një kundërveprim që prej kohësh po pritet nga forcat e rendit dhe drejtësia. Këto të fundit dhe jo qytetarët janë përgjegjës për sigurinë e rrugëve tona.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit