Mbrëmjen e kaluar, aktori i njohur Rezart Veleshnja u përjashtua nga “Big Brother VIP Kosova”, me një vendim të prerë të Vëllait të Madh përmes zarfit të zi.
Pas largimit nga gara, Rezarti reagoi në Instagram, ku ndau me ndjekësit një sërë mesazhesh mbështetëse që kishte marrë pas përjashtimit. Në InstaStory, ai publikoi mesazhe nga mbështetësit dhe miqtë e tij me një shkrim poshtë ku shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e kanë përkrahur gjatë pjesëmarrjes së tij në “BBVK”.
“Shumë faleminderit për fjalët e mira, të gjithë veriut të shqiptarisë, sidomos Prishtinës së bukur,” shkroi ai.
Në një komunikim nga Vëllai i Madh, u konfirmua se Veleshnja dhe konkurrenti tjetër Besfort Daka u përjashtuan automatikisht nga “BBVK” për shkak të shkeljeve të rregullave të shtëpisë. Vendimi erdhi si pasojë e sjelljeve që u konsideruan në kundërshtim me kodin e etikës dhe rregullat e programit. Përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe ngacmimet seksuale nga ana e tyre ishin arsyet kryesore që çuan në këtë vendim të menjëhershëm të Vëllait të Madh.