spot_img
spot_img

Rikthimi në burg, “zhduket” pa asnjë shenjë Lefter Koka

spot_img

Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së vendosi rikthimin në qeli të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, mirëpo ekzekutimi i këtij vendimi duket i pamundur, pasi ish-zyrtari nuk ndodhet më në Shqipëri.

Ish-ministri mësohet se është larguar nga territori shqiptar dhe në këto kushte vendimi i Apelit të GJKKO-së mbetet pezull deri në lokalizimin e tij nga autoritetet.

Ky vendim erdhi pas rishqyrtimit të dosjes së inceneratorit të Tiranës, ku gjykata vendosi që Koka të vuajë edhe 6 muaj të tjerë burg, duke rrëzuar pjesërisht vendimin e mëparshëm të GJKKO-së për shuarjen e masës së sigurisë.

Kujtojmë se një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së ndryshoi vendimin e shkallës së parë për ish-ministrin, i cili ishte dënuar me 2 vite burg për “shpërdorim detyre” në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.

Në shkallën e parë, Gjykata kishte vlerësuar se dënimi ishte shlyer përmes kohës së kaluar në paraburgim, çka solli lirimin e tij nga qelia në dhjetor të vitit 2025. Megjithatë, Apeli vendosi rikthimin në burg të Kokës për të përfunduar edhe pjesën e mbetur të dënimit.

Sipas dosjes së SPAK, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka, kanë shpërdoruar detyrën gjatë procedurave për dhënien e koncesionit të inceneratorit të Tiranës në Sharrë, një projekt me vlerë rreth 128.2 milionë euro pa TVSH.

Hetimet kanë ngritur dyshime se kompania e biznesmenit Klodian Zoto është favorizuar përgjatë gjithë procedurës së konkurrimit.

Në prill të vitit të kaluar, GJKKO dënoi me 10 vite burg në total 7 të pandehur për aferën e inceneratorit të Tiranës. Katër ish-anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit u dënuan me nga 2 vite burg, ndërsa ndaj të gjithë të dënuarve u vendos edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Lefter Koka u arrestua fillimisht në dhjetor të vitit 2021 për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ndërsa më pas hetimet e SPAK e përfshinë edhe në dosjet e Fierit dhe Tiranës. Aktualisht, dy dosje, ajo e Elbasanit dhe e Tiranës, janë vulosur me vendim të formës së prerë, ndërsa çështja e inceneratorit të Fierit është rikthyer për rigjykim në Apelin e GJKKO-së.

Lajmet e fundit