9.5 C
Tirana
E hënë, 2 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rrëfimi i Olsi Ramës: Kam qenë hamall në Greqi, marrëdhënia me vëllain dhe jeta në SHBA

    Drejtori i përgjithshëm i Partizanit Olsi Rama rrëfeu në emisionin “Bilardo” periudhën si emigrant në SHBA, duke u shprehur se e ka nisur duke punuar si kamarier.

    Ndër të tjera ai tha se ka punuar si hamall në ishullin e Korfuzit në Greqi.

    “Unë kam studiuar Arkitekturë, për arsye sepse familja s’donte që të bëhesha artist. Më një baba skulptor, që kalonte shumë kohë në studio dhe një vëlla piktor, u duk një impenjim shumë i madh. Duke qenë se isha i mirë në shkencat ekzakte, ishte edhe këmbëngulja e sime mëje, zgjodha Arkitekturën dhe mbase bëra mirë, mbase s’kisha atë shtysë aq të madhe kundrejt artit, sepse mund të isha bërë edhe një artist mediokër që të kisha humbur kohë kot, nuk e di këtë gjë sepse s’e kam të provuar. Puna ime e parë e paguar ka qenë basketbolli. Jeta më ka bërë që të provoj të jem hamall. Kam qenë në Greqi, kam ndenjur dy vera, në Korfuz, dhe një verë punova.

    Punova te kushëriri i sime mëje që ishte me origjinë nga Vunoi, që ishte shpërndarësi kryesor i birrës dhe i Pepsit, dhe isha hamall duke ngritur arka. Merrje një rrogë. Nuk e bëra për punën e lekëve, ishte një kërkesë e imja për ta parë si do ta përballoja unë kapitalizmin, sepse ka qenë viti 91’ dhe 92’. Në Amerikë kam punuar kamarier në një restorant shumë të mirë në Çikago. Ka qenë një nga eksperiencat më të vlefshme të jetës sime, nga kamerier u bëra menaxher zyre dhe pastaj menaxher i gjithë restorantit. Pastaj pjesën më të madhe të qëndrimit tim në Amerikë kam punuar në Institut Kërkimesh kundër Kancerit, në kërkime shkencore”.

    Olsi Rama rrëfeu për herë të parë se në vitin 2010 iu nënshtrua një ndërhyrje në zemër.

    “Rrugëtimi im kishte lidhje me faktin që unë kam pasur një ndërprerje të filmit, për arsye se në 2010-ën kam bërë një operacion në zemër, i cili më dha një kohë që të reflektoja në raport me rrugëtimin tim në ato momente dhe më bëri të rivlerësoja disa aspekte të jetës sime edhe pjesën nëse do vazhdoja në këtë rrugë apo do bëja diçka tjetër, filloi ajo pjesa e nostalgjisë për Shqipërinë dhe fakti nëse mund të kisha diçka tjetër në Shqipëri”.

    I pyetur nëse i mungon babai, Olsi Rama tha:

    “Absolutisht po. Ka qenë një model për mua. E kam humbur kur kam qenë në Amerikë dhe s’kam pasur as mundësinë që marr pjesë në varrim. Në një farë mënyre s’e kam mbyllur plotësisht atë kapitullin. Është ndryshe të gjesh atë qetësinë dhe ndryshe kur s’e mbyll kapitullin. Kam qenë pranë varrit të tij 8 vjet e gjysmë pasi ai ka vdekur. Unë vetëm kam kujtime të mira dhe të bukura, dhe kjo është bukuria e gjithë gjësë”.

    Lidhur me ndikimin që prindërit patën në jetën e tij, ai shtoi:

    “Të dy si babai dhe nëna kanë ndikuar në jetën time në mënyra të ndryshme. Neta ishte një figurë dominante, në sensin e energjisë, është ajo që është marrë më së shumti me edukimin tim, sepse im at ishte artist dhe një pjesë të madhe të kohës e kalonte në studio dhe kishte edhe ai një lloj qetësie, që mesazhin e përçonte me butësi dhe urtësi. Është e pamundur për mua që t’i ndaj”.
    Ai tregoi se si i lindi ideja për të pasur një pozicion menaxherial në klubin e “kuq” dhe raportin me Presidentin Demi. Ndër të tjera Olsi Rama zbuloi një bisedë që pati me vëllain e tij, kryeministrin Edi Rama, pasi ishte arritur marrëveshja për ngritjen e Akademisë së Manchester City-t në Durrës.

    Lidhur me afrimin e tij te Partizani, Olsi Rama rrëfen:

    “Ka përkuar që kur jam kthyer në Shqipëri kam ndenjur pranë Partizanit, prej miqësisë, prej njohjes me Gaz Demin, për faktin që më pëlqen jashtëzakonisht sporti dhe më pëlqen që rinia të merret me sport. Personi i parë që më tha që ‘pse nuk bëhesh ti drejtor i Partizanit’ ka qenë një trajner italian që ka qenë te Partizani në 2016-ën, Andrea Agostinelli. Ai pa mbase pasionin dhe idetë e mia për sportin. Ajo që ndodhi, ndodhi më shumë se një vit më vonë, në përpjekjet e veta për të rritur gjithmonë standard-et e Partizanit, Gazi bëri një sakrificë që mori si drejtor Luciano Moggi-n dhe ai mori përsipër këtë punë duke sjellë edhe një drejtor sportive dhe Mark Lulianon si trajner. Me gjithë investimet e mëdha rezultatet nuk po vinin. Ka qenë nëntori i 2017-ës, aty ishte ku Gazi mu afrua dhe më tha: Besoj që ka ardhur momenti, mund të ndihmosh Partizanin”.

    I pyetur nëse është përplasur ndonjëherë me Presidentin Gaz Demi, dhe si janë raportet me të, ai shprehet:

    Besoj që të dy kemi aq ndershmëri sa të kemi guximin t’ia themi njëri-tjetrit gjërat në sy pa u përplasur, duke u munduar gjithmonë që të jemi konstruktiv në raport me atë çka shohim, dhe duke u munduar për të bërë zgjedhjen më të mirë.  Për mua sukses në qoftë se do largohesha nga Partizani një ditë, dhe do të thoja cili do të ishte suksesi i punës sime, do të ishte ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm të një pune të bazuar në standarde bashkëkohore dhe në ndershmëri, në kuptimin që klubi i Partizanit njihet që është një klub që respekton lojtarët, respekton kundërshtarët, përpiqet gjithmonë të ngrejë nivelit. Suksesi është që edhe kur unë e Gazi të largohemi nga kjo punë klubi të vazhdojë të ketë krijuar një traditë pune dhe të vazhdojë në këto binarë”.

    Duke treguar komunikimin e parë me vëllain kryeministër lidhur me Akademinë e Manchester City-t në Durrës, Olsi Rama thotë:

    “E mbaj mend sepse në një nga komunikimet e rralla më merr shumë i entuziazmuar dhe më thotë: Kam arritur të bëjë akademinë e Manchester City-t në Durrës, dhe automatikisht në mënyrën më normale të mundshme për një mentalitet shqiptari, më doli vet pyetja, thashë: Pse në Durrës dhe jo në Tiranë?!

    Sepse ndërkohë që Tirana ka më shumë resurse dhe mundësi për t’u zhvilluar në mënyrën e vet indipendente, Durrësi është një qytet shumë i bukur që ka shumë potencial edhe me zhvillimet turistike, që ka më shumë nevojë për një shtysë të tillë, që të ketë disa pole që të zhvillohet futbolli.

    Në momentin që më doli pyetja, aty thashë im vëlla sheh një kuadër më të gjerë, një perspektivë më të plotë, dhe në fund të fundit s’ka përse ta sjellë te Partizani. Partizani mund të bëjë një binjakëzim me një akademi tjetër”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit