spot_img
spot_img

Rrethuan Kryeministrinë pasi Rama ishte brenda, 14 të arrestuar nga protesta e djeshme (mes tyre Dritan Goxhaj, Arben Kola dhe Arvina Lleshi)

spot_img

Mes tensioneve dhe përplasjeve, u shoqërua protesta e 94-të përballë ambienteve të Kryeministrisë. Siç kemi raportuar dhe ditën e djeshme, protestuesit rrethuan ambientet e Kryeministrisë aty ku dhe ndodhej kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili ishte duke zhvilluar regjistrimet për podcastin e tij të radhës.

Si rrjedhojë, “revolucionarët”, ashtu sikurse dhe kanë pagëzuar veten që prej fillimit të këtyre protestave, tentuan që të çanin kordonin policor. Kjo solli përshkallëzim mes tyre dhe forcave të policisë, të cilët bënë të mundur dhe shoqërimin në Komisariat edhe të disa prej protestuesve.

Si pasojë e përplasjeve të një nate më parë, 14 protestues janë arrestuar. Mes tyre mësohet se janë Arvina Lleshi, Bora Mitrovica, Edison Lika, Dritan Goxhaj, Erlind Alimeti, Arben Kola dhe Andi Tepelena. Ndërkohë tre të tjerë janë proceduar penalisht.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 01.09.2026, pranë Kryeministrisë u arrestuan në flagrancë shtetasit: Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli,Desiderjo Alimucaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu.

Kujtojmë se ditën e djeshme, rreth orës 20:00, një grup pjesëmarrësish në tubim u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, ku bllokuan hyrje-daljet në ambientet e këtij institucioni, në kohën kur aty ndodheshin personalitete të larta shtetërore. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë krijuan një kordon sigurie, me qëllim moslejimin e depërtimit të mëtejshëm brenda perimetrit të sigurisë.

Tubuesit vijuan qëndrimin në rrugën “Ismail Qemali”, përpara hyrjes së Kryeministrisë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të punonjësve të Policisë, për rreth 30 minuta, nëpërmjet megafonit, për shpërndarjen e tubimit dhe lirimin e rrugës.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, nëpërmjet megafonit, u bënë të ditur pjesëmarrësve në tubim se veprimet e tyre ishin në kundërshtim me ligjin, në cenim të rendit dhe qetësisë publike, si dhe të perimetrit të sigurisë së institucionit të rëndësisë së veçantë. Gjithashtu, iu bë e ditur se, si pasojë e tubimit, ishte penguar qarkullimi i mjeteve të transportit dhe lëvizja e lirë e personaliteteve të larta shtetërore.

Lajmet e fundit